Vlorë, 41 raste legalizimi kundër ligjit, në gjykim ish-kreu i ALUIZN-it dhe 2 ish-zyrtarë
Vlorë-Prokuroria ka mbyllur dosjen për 3 ish-zyrtarë të ALUIZN-it në Vlorë, mes tyre edhe ish-drejtori i zyrës, dhe ka dërguar për gjykim Roland Tafilaj, ish-drejtor i zyrës, si edhe shtetasit Besnik Zërra dhe Stela Deromemaj, ish-përgjegjës të ALUIZNI-t të këtij qyteti.Këta persona akuzohen për "Shpërdorimit të detyrës", pas hetimeve të bazuara në kallëzimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit në fund të vitit 2013.Këta 3 ish-zyrtarë të ALUIZN-it akuzohen se, në kundërshtim me ligjin, në 41 raste kanë kualifikuar për legalizim objekte dhe parcela ndërtimore informale që sipas planeve urbanistike të miratuara rezulton se ndodhen në vënde ku nga studimet përkatëse janë parashikuar rrugë, trotuare apo që janë parashikuar si zonë e gjelbër.Ish-drejtori rajonal i ALUIZNI-t Vlorë, Roland Tafilaj, aktualisht është nën masën e sigurisë "arrest në shtëpi", në vijim të një tjetër hetimi që po përfundon po për veprën penale të "Shpërdorimit të Detyrës" nga ana e Prokurorisë së Sarandës, për shkak të dhënies së disa lejeve të ndërtimit në zonën e Ksamilit.Gjithashtu, po i njëjti person, pak muaj më parë, është dënuar me 1 vit e gjysëm burgim nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë për "shpërdorim detyre" në dhënien e lejeve të legalizimeve për disa objekte të tjera. Kjo çështje është aktualisht duke u shqyrtuar në Gjykatën e Apelit Vlorë.