MF-BB-FMN tryezë për ekonominë, Bode: Stabilizimi dhe ulja e borxhit, përparësi e qeverisë
Në një tryezë të rrumbullakët që u mbajt sot në Tiranë u diskutuan sfidat dhe përparësitë e politikës fiskale të Shqipërisë në një periudhë afatmesme dhe afatgjatë. Qëllimi i kësaj veprimtarie, të organizuar nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, ishte ripohimi i rëndësisë së konsolidimit fiskal për të arritur rritje të qëndrueshme dhe për të ruajtur stabilitetin makroekonomik, si dhe për të diskutuar hapat specifikë drejt këtyre qëllimeve.Tryeza e rrumbullakët diskutoi gjithashtu nevojën për fillimin e konsolidimit fiskal në afat të shkurtër, në një kohë kur ekonomia operon ndën potencialin e vet.“Një objektiv i besueshëm i borxhit dhe konsolidim fiskal i vazhdueshëm, por gradual afatmesëm, do të jepte një sinjal të mirë të angazhimit të qeverisë ndaj qëndrueshmërisë së borxhit, duke përmirësuar në këtë mënyrë besimin, duke ulur kostot e huamarrjes së sektorit publik, dhe duke kompensuar të paktën pjesërisht çdo ndikim negativ afatshkurtër të kërkesave të konsolidimit fiskal”, deklaroi Nadeem Ilahi, Shef i Misionit për Shqipërinë të FMN.Në këtë kontekst, është shumë e nevojshme ndërmarrja e masave të prekshme, të cilat përforcojnë politikën e matur fiskale për t’i dërguar tregjeve një sinjale të besueshme.“Ndërkohë që rreziku më i madh i jashtëm për ekonominë shqiptare është dobësia në Eurozonë, kërcënimi më serioz i brendshëm është zhbalancimi në financat publike. Në një kohë që qeveria shqiptare nuk mund të bëjë shumë për të ndihmuar vendet e tjera, mund dhe duhet të bëjë më shumë për të balancuar llogaritë e veta," vuri në dukje Indermit Gill, Kryeekonomisti për Evropën dhe Azinë Qendrore në Bankën Botërore.Pjesëmarrësit në Tryezën e Rrumbullakët diskutuan rëndësinë e uljes së borxhit publik në një periudhë afatmesme për të ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe për të arritur rritje të qëndrueshme. Ata shkëmbyen këndvështrime mbi rolin dhe projektimin e një rregullimi të qëndrueshëm fiskal dhe reforma strukturore për të ulur borxhin në një periudhë afatmesme, duke mundësuar ndërkohë që ekonomia të rimarrë veten nga dobësia e saj e tanishme.“Ndërkohë që mbështetja e ekonomisë nëpërmjet instrumenteve efektivë të politikave makroekonomike është me rëndësi kritke në këtë kohë të vështirë, deri në momentin që kërkesa merr veten dhe ekonomia rifiton forcën e saj, stabilizimi dhe ulja graduale e borxhit publik në kohë, mbetet një përparësi kryesore e qeverisë. Ishte shumë i rëndësishëm ky debat me ekspertët ndërkombëtarë sot rreth masave konkrete që mund të merren për të forcuar përpjekjet e konsolidimit fiskal” theksoi Ministri shqiptar i Financave, Ridvan Bode.Me synim nga e ardhmja, u diskutuan disa alternative të mundshme mbi mënyrën se si të sigurohet përgjegjshmëria fiskale, siç është miratimi i një rregulli fiscal. Ndërkohë që disa nga masat e propozuara do të kishin nevojë për konsensus të gjerë politik, fillimi i punës përgatitore në këtë drejtim, në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare financiare dhe institucionet e pavarura, do të sinjalizonin një angazhim drejt politikës së shëndoshë fiskale dhe reformave në të ardhmen.