Regjizori bardhezi Pirlo: Në Glasgow do luajmë vetëm për fitore
Pas fitores në kampionat ndaj Fiorentinës, mesfushori i Juventusit, Andrea Pirlo, është intervistuar nga gazeta britanike "Sun Sport", për të cilën ka folur mbi takimin e Champions League, kundër skocezëve të Celtic Glasgow."E dimë që duhet të kemi pak frikë për ndeshjen ndaj Celtic. Në fazën e grupeve ekipi skocez tregoi një nivel të lartë, ndërsa arriti të koleksiononte rezultate të shkëlqyera ndaj Barcelonës dhe Spartakut të Moskës. Kanë shumë lojtarë të talentuar në skuadër dhe personalisht më pëlqen shumë sulmuesi grek, Samaras. Ai është një futbollist i shkëlqyer, për të cilin trajneri i ekipit Lenon ka treguar se di ta bëjë siç duhet detyrën e tij. Kam luajtur kundër Lennon kur aktivizohesha te Milani, ndaj mund t'ju them se si mesfushor ka qenë tepër agresiv dhe mjaft i mirë. Më pas mori drejtimin e klubit dhe po bën një punë të shkëlqyer deri më tani", është shprehur mesfushori i Juventus.Italiani ka folur sërish për ekipin skocez teksa është shprehur: "Celtic është klubi më i fortë skocez. Kur luaja përballë tyre në Ligën e Kampionëve me Milanin, mbaj mend se kjo skuadër na vinte shpeshherë në vështirësi dhe ishte mjaft e vështirë për t'i mundur, pasi ishin shumë energjikë. Stadiumi i tyre është i shkëlqyer, ndërsa në çdo takim krijohet një atmosferë e bukur. Por ne nuk do të ndikohemi nga publiku, pasi jemi mësuar të luajmë në nivele të larta. Na pret një ndeshje e madhe. Shpresojmë që të shkojmë në Glasgoë në një gjendje të mirë fizike dhe të rikuperojmë për takimin e së shtunës në kampionat. Në Champions ke nevojë për shumë energji, pasi niveli është më i lartë se i kampionatit. Nuk e di nëse jemi në formën tonë më të mirë, por grupi ndihet i gatshëm për të fituar. Synojmë që të kalojmë turin dhe të arrijmë sa më larg. Besoj se jemi një ekip kompetitiv për të synuar rezultate të larta", u shpreh Pirlo.