Nobelistët e paqes, dy fituesit angazhohen për të drejtat e fëmijëve

Dy fituesit e këtij viti për Çmimit Nobel për Paqen i kanë kushtuar fitoren e tyre fëmijëve anembanë botës që nuk kanë mundësi të kenë një jetë normale për shkak të abuzimeve, skllavërisë, trafikimit dhe prostituconit.Të pranishëm në Oslo me rastin e ceremonisë dhe ndarjes së Çmimeve Nobel, Kailash Satiarti dhe Malala Jusafzai, dhanë një konferencë për shtyp për mediat. Të dy ndanë çmimin e këtij viti për paqen për shkak të punës së tyre të palodhur në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.Ndërkohë që Malala ishte ndër favoritet për fitimin e çmimit, Satiarti, aktivist i vjetër i të drejtave të fëmijëve në Indi, tha se ishte e papranueshme që 36 milionë njerëz, përfshi edhe 5.5 milionë fëmijë jetonin ende në skllavëri në ditët e sotme."Ky çmim është tepër i rëndësishëm për miliona e miliona fëmijë, të cilëve iu janë mohuar të drejtat e fëmijërisë, liria, arsimimi dhe shëndeti. Sot ka ende fëmijë që shiten e blihen si të ishin kafshë, që lindin mes konflikteve dhe terrorit, që merren peng, apo përdoren për prostitucion. Prandaj ky çmim shkon për ta".Ndërsa "vajza më guximtare në botë", siç është pagëzuar nga mjaft mbështetës të saj që kur i mbijetoi sulmit të talebanëve në Pakistan, Malala, pranoi se ndihej edhe më e fortë pas fitimit të çmimit."Çmimi Nobel duket sikur të vë nën presion, por nuk është kështu. Ai të jep forcë dhe guxim. Ndihem edhe më e fortë se më parë. Tanimë nuk jam vetëm, por tani jam me miqtë e mi, Kailash Satiarti dhe komiteti i Nobelit, por edhe udhëheqësit botërorë, të cilët do të luftojnë për të drejtën e fëmijëve për arsim. Ndryshimi po vjen!"Të dy fituesit, të cilët do ta marrin zyrtarisht çmimin të mërkurën në një ceremoni të veçantë, thanë se shpresonin të shihnin aty edhe drejtuesit e vendeve të tyre, përkatësisht Pakistanit dhe Indisë, në një kohë kur marrëdhëniet mes dy vendeve nuk janë në nivelin e tyre më të mirë.