Kosova gjen Qeveri, Thaçi e Mustafa bashkë në pushtet, krizë në PDK e LDK

Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa nënshkruan këtë të hënë, 6 muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit, marrëveshjen për bashkëqeverisjen dhe ndarjen e përgjegjësive, marrëveshje e cila zyrtarizoi kreun e LDK-së Kryeministër të vendit.Megjithatë përpara mediave në një dalje publike, ndërsa hodhën firmën mbi dokumentin zyrtar që mundëson krijimin e institucioneve dhe qeverisë në vend, dy liderët nuk e thanë me zë emrin e Kryeministrit ndonëse sipas mediave vendase, Mustafa do të jetë kryeministër dhe Thaci zv.kryeministër i parë.Thaçi në fjalën e tij drejtuar mediave tha, se kjo marrëveshje është në të mirë të qytetarëve.“Kemi vendosur që të nënshkruajmë, për të mirën e vendit dhe të mirën e qytetarëve të Kosovës, duke përfshirë edhe partnerët minoritarë të koalicionit, kemi nënshkruar marrëveshjen e koalicionit 2014- 2018, për krijimin e institucioneve”u shpreh Thaçi.“Këtë marrëveshje e kemi bërë në interes të qytetarëve të Kosovës dhe në zgjidhjen e problemeve të qytetarëve…me qëllim të integrimit në Bashkimin Evropian.Do të përkushtohemi të realizojmë edhe më shumë se sa që kemi premtuar, përkushtimi ynë është që të arrijmë objektivat tona.Falenderoj z.Thaçi dhe gjithë të tjerët, dhe do të punojmë ngushtë në angazhimin dhe bashkëpunimin e përbashkët me opozitën dhe gjithë organizmat tjerë.Është marrëveshje e arsyeshme, racionale, për Kosovën evropiane dhe për të mirën e vendit” theksoi Msutafa.Sipas marrëveshjes dhe ndarjes së posteve, Hashim Thaçi deri më 2016-ën, do të mbajë postin e zv.Kryeministrit të parë dhe të kreut të diplomacisë së Kosovës dhe në përfundim të mandatit të presidentes Atifete Jahjaga, ai do të mandatohet Presidenti i vendit.Pavarësisht ndarjes së Ministrive mes PDK-së dhe LDK-së, disa deputete brenda të dy kampeve politike duket se kanë mbetur të pakënaqur, madje disa prej tyre kanë menduar edhe largimin nga qeveria.