Daçiç: BE nuk i ka kërkuar Serbisë njohjen e Kosovës

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, tha sot se Bashkimi Europian nuk ka kërkuar nga Serbia ta njohë Kosovën si shtet."Serbia nuk e ka ndryshuar qëndrimin e saj lidhur me pavarësinë e Kosovës, dhe një gjë të tillë nuk e ka kërkuar as BE nga ne”, tha Daçiç, gjatë një konference për mediat në Beograd.Sipas tij, BE nuk mundet të kërkojë diçka të tillë nga Serbia, pasi janë pesë shtete anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur akoma pavarësinë e Kosovës.Daçiç ka shtuar se në letrat zyrtare të BE-së, nuk thuhet që Serbia duhet medoemos ta njohë Kosovën, dhe madje siç shprehet ai ‘asnjë fjalë për një gjë të tillë nuk thuhet nga BE’.“Një gjë të tillë mund ta thotë dikush në biseda jozyrtare, por në ato zyrtare nuk është thënë kurrë”, ka shtuar Ministri i Jashtëm serb.Daçiç shtoi më tej, se ajo që ekziston në dokumentet zyrtare të Brukselit është që Serbisë i kërkohet që të vazhdojë dialogun me Prishtinën dhe se ai dialog mbetet neutral ndaj statusit.Reagimi i Ministrit Daçiç vjen pas deklaratës së presidentit, Tomislav Nikoliç, ku theksonte se është i vetëdijshëm që BE do të kërkojë nga Serbia njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe sipas tij për një gjë të tillë duhet sa më parë që të arrihet një konsensus kombëtar.Por, kjo deklaratë duket se e ka nervozuar kryetarin e Partisë Socialiste Serbe, Ivica Daçiç.“Duhet të ketë reforma në parti dhe ftoj anëtarët e partisë që të distancohen nga deklaratat e tilla që janë të dëmshme qoftë për partinë e qoftë për Serbinë”, është shprehur ai.