Komandimi i FA, Kushtetuesja vendos pezullimin e projektligjit

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar qeverinë për ligjin për Pushtetet dhe Autoritetet e Drejtimit të Forcave të Armatosura, duke shfuqizuar 5 pika të draftit pasi ka pranuar pjesërisht ankimimin e Presidentit të Republikës.Me vendimin e publikuar në faqen zyrtare në internet, Gykata Kushtetuese i ka hedhur Kryeministrit të drejtën e fituar nga ligji i kaluar me shumicë votash në Kuvend për lirimin e gjeneralëve të ushtrisë, duke ia lënë këtë kompetencë vetëm Presidentit të Republikës.Për këtë Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar pikat 12/ç dhe 12/d të ligjit, sipas të cilave “Kryeministri nxjerr në rezervë ose lirim, me propozimin e Ministrit të Mbrojtjes, oficerët me grada madhore, me përjashtim të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe miraton, me propozimin e Ministrit të Mbrojtjes, planin e vendosjes dhe përhapjes së Forcave të Armatosura në kohë paqeje".Gjykata po ashtu ka rrëzuar edhe dy pika 22/3 dhe 23/3 që kanë të bëjnë me drejtimin e Forcave të Armatosura në gjendje të jashtëzakonshme apo në gjendje të fatkeqësisë natyrore.Në draftin e qeverisë Kryeministri gjatë gjendjes së jashtëzakonshme është drejtpërdrejt përgjegjës për drejtimin e Forcave të Armatosura, përmes hierarkisë së drejtimit e të komandimit.Ndërsa pika e pestë e rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese ka të bëjë me një pjesë fjalie në nenin 9 të ligjit sipas të cilës në kohë luftë Presidenti i drejton Forcat e Armatosura nëpërmjet Komandantit të Forcave të Armatosura që është Shefi i Shtabit.