KVV: Mungesa e konsensusit fut vendin në ngërç para Zgjedhjeve 2015
Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë ka shprehur shqetësimin se mungesa e konsensusit politik është një rrezik serioz për futjen e vendit në një ngërç institucional e kushtetues përpara Zgjedhjeve Lokale të Qershorit 2015.Në një deklaratë për mediat Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë thotë se pak më shumë se 6 muaj nga Zgjedhjet Lokale të Qershorit 2015, kuadri ligjor është i paplotë dhe alarmues.“Pavarësisht domosdoshmërisë së shprehur nga të gjithë aktorët për përmirësim të Kodit Zgjedhor dhe reflektim në të të rekomandimeve të OSBE/ODIHR, por edhe të ndryshimeve që i detyrohen ndryshimeve territorialo-administrative dhe decentralizimit, ende nuk ka asnjë hap institucional apo ligjor të ndërmarrë.”“Një situatë e tillë për të ndërhyrë në minutën e fundit, e cila është bërë tashmë traditë për politikën shqiptare,-thuhet në deklaratën e KVV- është një situatë e papranueshme për një vend tashmë kandidat për në Bashkimin Europian”Koalicioni ngre fort shqetësimin për rrugën pa krye dhe ngërçin institucional e kushtetues ku mund të futet vendi, ngërç i cili është tashmë evident dhe i mundshëm pas depozitimit të dokumentacionit të më shumë se 100 grupeve nismëtare për organizimin e referendumeve lokale në njësitë e tyre vendore.Të ndodhur në këtë situatë KVV i bën thirrje urgjente Klasës Politike, Deputetëve të Parlamentit Shqiptar dhe veçanërisht Kryetarëve të tre Partive më të Mëdha Politike, z. Edi RAMA, z. Lulzim BASHA dhe z. Ilir META, që të tejkalojnë të gjitha ndasitë dhe interesat e ngushta partiake e politike e të gjejnë forcën për tu ulur së bashku me vullnetin për të bashkëpunuar.Po ashtu KVV i kërkon Presidentit të Republikës z. Bujar Nishani që të mbledhë sa më parë krerët e partive parlamentare dhe që të iniciojë një tryezë të përbashkët me të gjithë faktorët politikë, përfshirë dhe ata jo parlamentarë apo edhe aktorë të tjerë të shoqërisë civile, për të nxitur një marrëveshje politike midis mazhorancës dhe opozitës për një angazhim të përbashkët në ndërmarrjen e reformave të domosdoshme, si ajo e decentralizimit, reforma zgjedhore, reforma kushtetuese, apo të tjera reforma të cilat i tejkalojnë interesat politike të një mazhorance apo të një apo më shumë legjislaturave dhe që kanë të bëjnë me interesat afatgjata të vendit, shtetit dhe qytetarëve shqiptarë./ex/oranews.tv/