Luksemburgu, streha e evazionit fiskal të firmave shumëkombëshe

Presidenti i ri i Komisionit Europian, Zhan-Klod Junker, pranoi sot përgjegjësinë politike për praktikat fiskale të vendit të tij, Luksemburgut, duke thënë se do të merrte masa për të parandaluar evazionin fiskal dhe do të promovonte rritjen e shkëmbimit të informacioneve mes vendeve.59-vjeçari ka mbajtur për 24 vitet e fundit postin e Ministrit të Financave apo të Kryeministrit në vendin e tij, para se të merrte detyrën e lartë në Komisionin Europian.Ai i ishte shmangur mediave, që kur javën e kaluar, pas një hetimi të një rrjeti gazetarësh, u raportua se Luksemburgu u kishte garantuar marrëveshje të volitshme rreth 340 firmave shumëkombëshe, duke i ndihmuar që të shmangnin miliarda euro në taksa, pasi regjistronin zyrat e tyre qendrore në Principatën e vogël në zemër të Europës.Zbulimi e kishte vënë në pozitë të rëndë Junkerin për të qartësuar pozicionin e tij, pasi ishin rritur dyshime se kjo e vendoste në konflikt interesi për shkak të pozicionit që mban momentalisht.Megjithatë ai mori përsipër gjithçka para gazetarëve në Bruksel, duke pranuar se pavarësisht se ishin në përputhje me ligjet europiane, praktikat fiskale të Luksemburgut mund të mos ishin morale."Lehtësisht mund të thuhet se po përpiqem të tërheq vëmendje larg veprimeve të mia. Jam politikisht përgjegjës për atë që ka ndodhur në çdo cep të vendit tim.Nuk jam unë arkitekti i modelit luksemburgas, sepse modeli nuk është tërësisht siç e komentojnë njerëzit. Duhet ta dini se ky nuk është justifikim, por pjesë e debatit.Në Luksemburg, sipas legjislacionit, Ministri i Financave mund t'i japë instruksione administratës së taksave, por ajo nuk është e detyruar t'i raportojë atij. Ata veprojnë në autonomi".Pavërësisht pretendimit të Junkerit, Komisioni Europian po heton disa prej skemave fiskale të ofruara nga Luksemburgu për firmat e mëdha shumëkombëshe, për të parë nëse ka thyer ndonjë prej ligjeve të BE-së.Vetë Presidenti tha se për të parandaluar një gjë të tillë në të ardhmen, BE-ja duhet të aprovonte një ligj të përbashkët për taksën koorporative, çka është kundërshtuar nga shumë vende brenda bllokut.