NATO konfirmon: Trupat ruse në Ukrainë. Jatseniuk: Bota të na ndihmojë
Sikurse bëri të ditur një ditë më parë nga Italia, edhe në ndalesën e radhës në Bullgari, gjenerali amerikan, Filip Bridlov, njëherësh edhe një prej komandantëve më të lartë të NATO-s, konfirmoi shqetësimin e depërtimit të makinerive, pajisjeve ushtarake dhe trupave rusë në lindje të Ukrainës.Edhe pse Rusia e ka mohuar vazhdimisht dërgimin e trupave ushtarakë në Ukrainë për të ndihmuar separatistët pro-rusë, Bridlov nuk ishte i këtij mendimi."Tanke, artilieri, mjete të mbrojtjes kundër-ajrore dhe trupa të ushtrisë ruse janë parë në lindje të Ukrainës", tha Bridlov nga Sofja.Në Donjeck dhe Luhansk, dy qytetet kryesore të lindjes së Ukrainës, ka pasur shkëmbime zjarri mes forcave ukrainase dhe atyre separatist ditët e fundit.Dhe sipas Ministrit të mbrojtjes ukrainas, Stepan Poltorak, forcat qeveritare po përgatiten për të përballuar një tjetër sulm të mundshëm nga ana e separatistëve.Ai bëri të ditur në një takim të qeverisë se rebelët kanë marrë përforcime pavarësisht armëpushimit të nënshkruar që më 5 shtator.Poltorak shtoi se ushtria ukrainase po i mbante nën vëzhgim, pasi kishte marrë informacion se separatistët, të cilët ai i quajti grupime terroriste, po ndihmoheshin edhe nga Rusia.Përgatitjen e trupave ukrainase për luftë e mbështeti edhe kryeministri, Arseni Jatseniuk, i cili gjithashtu kërkoi ndihmën e faktorit ndërkombëtar."Ukrainës i duhet paqja. Dhe për të arritur te paqja e gjithë bota duhet të veprojë si një institucion i bashkuar, i qytetëruar e demokratik që lufton për paqen, sidomos kur bëhet fjalë për t'ui përballur me një fuqi bërthamore", u shpreh Kryeministri ukrainas.