21 janari, Topi: S’komentoj vendimet e gjykatave, Kryeministri ka ozurpuar institucionet

Vendimi i gjykatës së Tiranës për çështjen e 21 janarit nuk ka mbetur jashtë vëmendjes edhe të Frymës së Re Demokratike, dhe liderit të saj Bamir Topi. Si ish-president i këtij vendi, Topi ka kursyer komentet rreth vendimit të gjykatës, por nga ana tjetër ka akuzuar Kryeministrin se ka ozurpuar të gjitha institucionet.“Ka një dorë që e organizon këtë lloj kaosi për të qëndruar në karrigen e pamerituar”-theksoi ai.Duke shfrytëzuar takimin me banorë të Prezës, Topi i ftoi ata që 23 qershorin të mos e shohin si gjithë ditët e tjera, duke u kujtuar atyre se vota është shumë e rëndësishme.“Politika shqiptare duhet të ishte një politikë më e urtë jo konfliktuale. Sot vijmë me një pasiguri të madhe për votën. Po si do ta ruani votën ju? Fakti që të gjithë e bëjnë këtë pyetje, nga gazetarë të rinj dhe profesionistë, ambasadorë, nga njerëz që janë në institucione të Evropës, të cilët kanë një shqetësim të madh, a do të përsëritet historia e vjedhjes së votës? Të gjithë së bashku të mos jemi pasiv në këtë lloj komunikimi, secili duhet ta vlerësojë këtë moment, votën duhet ta shfrytëzoni.”- tha Topi.Kreu i FRD deklaroi se partia e tij do të jetë një forcë politike në qeveri, ndërsa shtoi se në ditët në vazhdim formacioni i tij politik do të vazhdojë të komunikojë me të gjithë banorët dhe fermerët e komunave të Tiranës.