Basha në Kombinat: Përveç infrastrukturës, brenda 4 muajsh furnizim me ujë të pijshëm

Përveç përmirësimit të infrastrukturës, kryetari i bashkisë së Tiranës Lulzim Basha u ka premtuar banorëve të Kombinatit brenda 4 muajsh furnizim të plotë me ujë të pijshëm. Ky premtim ka ardhë gjatë inspektimit të punimeve në rrugën "Hamdi Cenojmeri", në Njësinë Bashkiake nr.6 në kryeqytet e cila po i nënshtrohet rikonstruksionit sipas parametrave modern."Ne presim që brenda dy muajsh të nisë vazhdimi i rrugës, deri në përfundim të saj. Kjo është një vepër e parashikuar në buxhetin e vitit 2013 dhe e konsideruar prioritare nga vetë banorët e Kombinatit, gjatë konsultimeve të buxhetit. Ndërkohë, dua të informoj banorët e kësaj zone, që brenda 3-4 muajve të ardhshëm, Ujësjellësi do të përfundojë rrjetin shpërndarës për të gjithë zonën dhe asnjë shtëpi nuk do të mbetet jashtë mbulimit të këtij rrjeti. Projekti tashmë ka përfunduar dhe po merren masat për zbatimin e tij, sikundër siguroj dhe banorët në anën perëndimore të kësaj rruge, se rikualifikimi urban i zonës së tyre është po kështu një projekt i buxhetit të vitit 2013, zbatimi i së cilit do të nisë po këtë vit. Projekti parashikon sistemimin e ambienteve para pallateve, gjelbërim, ndriçim dhe stola për pushim si edhe ambiente e kënde lojrash për fëmijë” - u shpreh Kryebashkiaku Basha.Duke shprehur vendosmërinë e Bashkisë së Tiranës, për t'i sjellë standardin e munguar në cdo cep të qytetit, Basha tha se me bashkëpunim me FSHZH do të realizohet vazhdimi i kësaj rruge deri në qendër të komunës së Vaqarrit.“Në një bashkëbisedim me Drejtorin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit z. Beci, kemi diskutuar edhe në emër të komunës së Vaqarrit, mundësinë e vazhdimit të rrugës deri në pikë takimin me rrugët rajonale brenda komunës së Vaqarrit. Kjo rrugë pikë së pari do të kthehet në një rrugë me parametra modernë evropianë, për t’u shërbyer banorëve të kësaj zone, banorëve që kanë shtëpitë në të dy anët e rrugës dhe që e përdorin si arterie kryesore dhe së dyti të kthehet nga një arterie që sjell baltë në dimër e pluhur në verë, nga komuna rurale e Vaqarrit, në një arterie e cila përshkon bashkinë dhe komunën e Vaqarrit, duke e bërë aspektin e gjelbër të kësaj komune, “të shijueshëm” për qytetarët e Kombinatit” - theksoi Basha.Me një investim prej 39 milionë lekësh në këtë rruge po realizohen edhe punimet e kanalizimeve të ujërave të bardha e të zeza, ndriçimi rrugor ku do të vendosen 32 shtylla, vetëm në segmentin e parë dhe do të mbillen 148 pemë.