Tiranë, zjarr në bodrumin e një pallati te “Ali Demi”, vdes 47-vjeçari

Alfred Mersuli, i cili punonte roje parkingu në një pallat të ri ka humbur jetë nga zjarri i rënë në bodrum. Kjo ngjarje e rëndë ka ndodhur pranë markatës së vjetër në zonën e "Ali Demit". Uniformat blu dhe zjarrëfikëset mbërritën menjëherë në vendngjarje, sapo janë sinjalizuar se në bodrumin e pallatit ka rënë zjarr.Dëshmitarët në vendgjarje thanë se personi ka pirë kafe në mëngjes dhe ka shkuar në vendin e tij të punës. Në kabinën ku qëndronte ka ndezur furnellën për tu ngrohur dhe dyshohet se fillimisht është asfiksuar dhe më pas zjarri është përhapur duke e djegur.Drejtori i shërbimit të zjarrëfikëseve, Dilaver Laçi, i cili mbërriti menjëherë në vendngjarje tha se flakët janë vënë menjëherë nën kontroll, por për fat të keq 47-vjeçari nuk ka mundur ti shpëtojë vdekjes.Banorët thanë se Mersuli banonte pas këtij pallati të ri. Ata ishin në panik për shkak të përhapjes së zjarrit dhe shume prej tyre lanë banesën, por fatmirësisht zjarri nuk ka shënuar të lënduar të tjerë.Ndërkohë trupi i pajetë i 47-vjeçarit u dërgua në morg për tu tërhequr më pas nga familjarët, ndërsa policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.