Dita e luftës kundër kancerit, Tavo apel qytetarëve: Identifikoni sëmundjen
Kanceri nuk konsiderohet më si sëmundje fatale, nëse ai kapet në kohë mund të luftohet dhe kurohet. Me këtë lloj konstatimi pozitiv u është drejtuar Ministri i Shëndetësisë Vangjel Tavo qytetarëve shqiptare në ditën ndërkombëtare të luftës kundër kësaj sëmundje. Përballë shifrave të fikshme në vendin tonë, plot 7000 raste të reja në vit, Ministri Tavo apelon qytetarët për bërjen e pap testit, mamografive e depistimeve për të parandaluar prekjen nga këto tumore.“Shifra është disi e lartë krahasuar me vitet e kaluara, edhe depistimi ka arritur në majat e tij, megjithatë kemi rreth 6000-7000 raste të reja në vit me tumor. Kjo është pasojë e disa faktorëve të riskut si ndotja, duhapirja, infeksionet e qafës së mitrës, mënyra e të ushqyerit, faktori gjenetik, marrëdhëniet seksuale, ndotja e ambjentit. Nga ana tjetër shumë e rëndësishme është koha e diagnostikimit të kësaj sëmundje. Kanceri nuk konsiderohet më si sëmundje fatale, nëse një tumor diagnostikohet herët mund të luftohet, mund të kurohet. Të gjithë qytetarët përvec shmangies së faktorëve të riskut, duhet të vizitohen tek mjeku i familjes që të kemi diagnostikim të hershëm të cdo lloj patologjie. Edhe për femrat këshillohet që në mënyrë periodike të kryejnë pap testin” tha ai.Ministri Tavo e ka vlerësuar si një hap shumë të madh dhe arritje në mjekësinë shqiptare transplantin e mëlçisë tek një fëmijë 3-vjeçar në Spitalin Amerikan në Tiranë. Sipas Tavos kjo krijon premisat që shumë shpejt kjo ndërhyrje të bëhet rutini fillimisht në spitalet private dhe pastaj edhe në ato publike.“Është një arritje, i jep shumë shpresë të gjithë atyre pacientëve që kanë nevojë për të tillë ndërhyrje.Mendohet që shumë shpejt që kjo ndërhyrje të bëhet rutinë, fillimisht në spitalet private, më pas edhe në ato publike të cilat kanë nevojë për përmirësim të infrastrukturës, e cila nuk kërkon shumë punë” theksoi ai.Në intervistën e mbrëmjes në RTV Ora News me drejtorin e Informacionit Patrik Sadikaj, Ministri i Shndetësisë foli edhe rreth reformës së shërbimit spitalor, ku theksoi se aplikimi i saj ka si qëllim rritjen e cilësisë dhe efektivitetit të shërbimeve për qytetarët.“Qëllimi i kësaj reforme të iniciuar nga MSH ka të bëjë me reformin e shërbimeve fillimisht në QSUT në mënyrë që shërbimi ndaj qytetarëve të jetë më cilësor dhe më efektiv. Pas reformës së shërbimeve të reja që do jenë konform klinikës që do mbulojë një shërbim do arrijë që buxheti të shkojë direkt në shërbimet përkatëse. Do jetë shërbimi që do ndajë buxhetin sipas nevojave që paraqiten, pra zgjidhet problemi i shërbimeve në QSUT dhe më pas edhe në spitalet e tjera rajonale. Kjo reformë është provuar në disa spitale në Europë dhe ka dalë shumë e sukseshme, mendoj se do ketë frytet e veta edhe këtu pas aplikimit të saj. MSH ka gjithë të drejtën e kërkesës së llogarisë ndaj tyre.Jo se s’kërkohet llogari, por duhet të kërkojmë për aq sa japim. Mendoj që kjo reformë s’përbën rast për abuzim, sesa shtim përgjegjësie ndaj tyre” u shpreh Tavo.E ndërsa projekti për përmirësimin e menaxhimit spitalor po implementohet në tre spitale pilote në vend, atë të Lezhës, Korçës dhe në Maternitetin e Vjetër në Tiranë, Tavo tha se ky ligj do t’i detyrojë drejtuesit e spitaleve që t’i justifikojnë fondet që do të marrin nga shteti, duke dhënë llogari për çdo shërbim që ofrojnë.“Është reformë e cila ka 2 vjet që ka nisur me mbështetje të USAID, është pilotuar në spitalin e Durrësit, është duke u eksperimentuar në dy spitale rajonale dhe në një maternitet. Edhe këtu kalojmë nga një përgjegjësi të një personi në një përgjegjësi të një bordi. Pjesë e bordit do jetë edhe pushteti vendor, shoqëria civile dhe shoqatat e pacientëve. Do fillojë të implemetohet në disa spitale të tjera brenda 2013 në varësi të buxheteve menaxheriale që kanë. Qëllimi ynë është të rrisim cilësinë e shërbimit tek qytetarët. Kjo reformë do ketë suksesin e saj në të ardhmen” deklaroi Ministri.I pyetur rreth mungesave të mjekëve specialistë në spitalet rajonale, kryesisht në zonat veriore dhe verilindore si dhe dyndjen e mjekëve dhe jo më pak të pacientëve drejt Tiranës, Tavo u përgjigj:“Është fenomen kronik, ka nisur pas rrëzimit të sistemit komunist, kjo ka sjellë dhe mungesën e specialistëve nëpër spitale, në Tropojë e kam hasur një problematikë të tillë, në Kukës pjesërisht. Mjekët kanë zbritur drejt Tiranës, nuk kanë zbatuar kontratën me spitalet ku kanë kryer specializimin. Arsyeja kryesore është lëvizja dhe dhënia e lejes së mjekut nga një spital. Nga ana tjetër mënyra si janë organizuar specializimet në një listë kombëtare nuk i detyron më mjekët të ushtrojnë detyrën në spiatalet rajonale nga vine.Për këtë si Ministër kam kërkuar që listat të bëhen rajonale, të pakten ata të mos kenë të drejtën e lëvizjes nga spitali rajonal nga vjen, së paku për 5 vite. Sa i përket pacientëve, me vendosjen e sistemit të referimit, i vendosur para dy vitesh mendoj se situata është përmirësuar ndjeshëm, por sërish ka probleme të tilla. Por këto spitale do të kenë ulje të fondeve, pasi kur ndahet buxheti në fillim të viteve planifikohet nga numri i rasteve që mund të mjekohen. Buxheti s’do jetë më ai klasiku”tha Ministri i Shëndetësisë Vangjel Tavo.