FRD:Më 23 qershor qytetarët do të ndëshkojnë me votë premtimet e pambajtura
Fryma e Re Demokratike ka fajësuar klasën politike për humbjen e shanseve të integrimit evropian të Shqipërisë duke theksuar konflikti politik pa sens ka lënë në hije çështjet të cilat prekin çdo ditë jetën e qytetarëve të thjeshtë, siç janë edhe politikat e munguara të punësimit, lufta kundër korrupsionit dhe varfërisë, politikat sociale detyruese të shtetit apo aspekte të tjera të dialogut dhe kohezionit social.Një një konferencë për shtyp,Drejtoresha e departamentit të çështjeve social në FRD Edlira Seferi theksoi se një nga bilancet më negative të keqqeverisjes dhe kontrastit të thellë midis debatit shterpë politik dhe kërkesave kryesore qytetare, është papunësia e lartë.“ Fryma e Re Demokratike deklaron se një nga dështimet më të bujshme të qeverisë aktuale lidhet me politikat e punësimit dhe nivelin e lartë të qytetarëve të papunë. Më 2009 partitë në pushtet premtuan mbi 200 mijë vende të reja pune. Pas katër vitesh të dhënat zyrtare dëshmojnë se jo vetëm nuk ka rritje, por ka rënie të mëtejshme të nivelit të punësimit. Të gjithë treguesit ekonomikë të raportuar nga Banka Botërore dhe institucione të tjera ndërkombëtare që monitorojnë zhvillimet ekonomike e sociale në Shqipëri provojnë se dështimet në politikat e punësimit janë të shumëfishta, dhe lidhen me aktualitetin dhe perspektivën e tij. Premtimi për një sistem arsimor cilësor dhe të koordinuar me nevojat e tregut të punës ka mbetur gjithashtu i parealizuar, premtim në letër. Të rinjtë në vend të auditorëve kanë sot alternativë kafenetë e qyteteve, për shkak të ofertës së munguar universitare dhe pasigurisë për vlefshmërinë e diplomave të tyre” theksoi Seferi.Sipas saj, hapi i parë për jetësimin e platformës së FRD-së për punësimin mbetet 23 Qershori ndërsa shtoi se qytetarët duhet të ndëshkojnë me votë premtimet e pambajtura dhe të mbështesin vizionet moderne për qytetarin dhe shtetin.“Për ne, punësimi mbetet përparësia kryesor, baza për një ekonomi funksionale e të qëndrueshme, kontrata më e ndershme me qytetarin dhe garancia se demokracia sociale funksionon për të gjithë, pavarësisht teserave partiake, lidhjeve personale me pushtetin apo statusi shoqëror. Hapi i parë për jetësimin e platformës tonë mbetet 23 qershori dhe nevoja që qytetarët të ndëshkojnë me votë premtimet e pambajtura dhe të mbështesin vizionet modern për qytetarin dhe shtetin” përfundoi Seferi.