Wollfarth takim për zgjedhjet:Bashkëpunim dhe jo politizim të KQZ-së

Një ditë pas takimit me Komisionerin Europian për Zgjerimin, Stefa Fule, përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare në Tiranë, mblidhen sërish për të disktuar për zgjedhjet, por këtë herë të thirrur nga ambasadori OSBE-së, Eugen Wollfart.Pas tryezës në një njoftim për shtyp, zyra e OSBE-së tha se përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare në Tiranë u mblodhën nën kujdesin e Prezencës së OSBE-së për të shkëmbyer informacion dhe për të bashkërenduar qëndrimet e tyre lidhur me zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të caktuara për më 23 qershor.Në kushtet kur KQZ është bërë objekt kritikash për vendime të politizuara, Ambasadori Wollfart ka kërkuar vendimarrje të paanshme të institucionit më të lartë zgjedhor në Shqipëri."Detyra e administratës së zgjedhjeve është të vërë në zbatim legjislacionin dhe proçedurat përkatëse, në kohën e duhur dhe në mënyrë të paanshme, për të siguruar që zgjedhësit të kenë mundësinë që ta shprehin lirisht dhe me vërtetësi vullnetin e tyre në ditën e zgjedhjeve. Veprimet dhe deklaratat që mund të çojnë në politizimin e punës së administratës zgjedhore janë të kundërfrytshme dhe duhen shmangur. Të gjitha palët duhet të dëshmojnë vullnetin e duhur politik për zgjedhjet që po vijnë"thuhet në deklaratë.Per te raportuar mbi punen e KQZ-së ishin të ftuar edhe kryetarja e Komisionit Lefterije Lleshi dhe nënkryetari Denar Biba.Grupi Ndërkombëtar i Punës për Zgjedhjet është një forum i përfaqësuesve të Shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare në Shqipëri, i cili mblidhet periodikisht përpara zgjedhjeve për të shkëmbyer informacion dhe për të bashkërenduar qëndrimet.Një nga qëllimet kryesore të Grupit të Punës është të bashkërendojë projektet e bashkësisë ndërkombëtare të lidhura me zgjedhjet, për të shmangur dublimin dhe për të maksimizuar efikasitetin e tyre.