Panariti takon homologët e Italisë dhe Azerbajxhianit, diskutime rreth TAP
Gjatë punimeve të Konferencës, Ministri Panariti u takua me Ministrin e Jashtëm italian, Giulio Terzi, dhe me Ministrin e Jashtëm të Azerbajxhanit, Elmar Mamedyarov. Në bisedën me Ministrin Terzi, u theksuan raportet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe u shpreh vullneti per ti cuar ato përpara. Ndër të tjera u diskutua mbi mbështetjen që qeveritë e të dy vendeve i japin realizimit të projektit TAP. Shprehje e këtij vullneti do të jetë nënshkrimi së afërmi i Marrëveshjes Ndërqeveritare mes Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë.Në takimin me Ministrin e Jashtëm të Azerbajxhanit, Ministri Panariti theksoi vullnetin e qeverisë shqiptare për të zgjeruar marrëdhëniet me Azerbajxhanin në të gjitha fushat kryesisht atë ekonomike. Të dy ministrat ranë dakort për të punuar në drejtim të nxitjes së investimeve reciproke në sektorin privat dhe realizimin e projekteve të përbashkëta si në fushën e infrastruktures dhe energjisë.Më tej Ministri Panariti, nënvizoi mbështetjen e fuqishme që qeveria shqiptare i ka dhënë realizimit të projektit të Gazsjellësit Trans-Adriatik, i cili do të transmetojë gazin azer në drejtim të Europës Perëndimore. Duke vënë në dukje përparësitë e Projektit TAP, Ministri Panariti tha se ai do të krijojë një perspektive të re për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe rajonit. TAP, tha ai, ka gjithashtu mbështetjen e Italisë e Greqisë, dhe të tre vendet janë të vendosura për të ndërmarrë të gjithë masat e nevojshme që ky projekt të dalë fitues. Për këtë qëllim, tha ai, do të nëshkruhet gjatë këtij muaji Marrëveshja Ndërqeveritare mes tre vendeve.Nga ana e tij Ministri Mamedyarov, vlerësoi përpjekjet e Shqipërisë në drejtim të realizimit të Projektit TAP, si dhe bashkëpunimin që ka vendosur me Italinë dhe Greqinë për të mundësuar miratimin e tij.Në përfundim Ministri Panariti e ftoi homologun azer për një vizitë në Shqipëri, ftesë e cila u pranua me kënaqësi.