Rinisin reshjet e dëborës në Kukës, probleme me qarkullimin dhe energjinë
Reshjet e dëborës janë rikthyer në të gjithë rajonin e Kukësit. Pas më shumë se 24 orësh reshje të dendura shiu, bora ka zbritur deri në zonat fushore ndërkohë që në zonat malore dëbora ka nisur prej më shumë se dy ditësh.Mëngjesin e së hënës edhe qyteti i Kukësit është gdhirë nën dëborë dhe temperatura të ulëta të cilat kanë krijuar probleme në komunikacion, por edhe në furnizimin me energji elektrike të banorëve, për shkak të defekteve të krijuara në linjat e tensionit të lartë.Në këtë mënyrë banorët e Kukësit nuk janë furnizuar me energji elektrike pasi nga mbingarkesa, një defekt i rëndë preku nën/stacionin e Rexhepajve, i cili furnizon me drita qytetin dhe pjesën më të madhe të komunave.Ndërkohë, dëbora e rënë ka sjellë vështirësi në qarkullimin e automjeteve më së shumti në akset rrugore rurale,komunale por edhe nacionale.Kështu, problemet më të mëdha janë shënuar në aksin rrugor Kukës-Shishtavec, Kukës-Peshkopi,Kukës-Krumë,Krumë-Qafë Prush, Bajram Curri-Qafë Morinë.Po ashtu probleme ka pasur edhe në aksin e vjetër Kukës-Qafë Shllak,në të cilën edhe trashësia e dëborës është edhe më e madhe. Aktualisht trashësia e dëborës në qytetin e Kukësit është 10 centimetra, ndërkohë që në zonat e thella bora ka arritur në 40 centimetra.