Kreu i LSI-së Meta priti Ambasadorin e Norvegjisë Jan Braathu
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta priti sot Ambasadorin e Norvegjisë në Tiranë, Rezident në Prishtinë, Jan Braathu.Meta dhe Ambasadori Braathu diskutuan mbi ecurinë e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe mbi zhvillimet e fundit në rajon.Z. Meta, i shprehu Ambasadorit Braathu vlerësimin për vëmendjen e vazhdueshme që Norvegjia i kushton Shqipërisë dhe rajonit, duke theksuar nevojshmërinë për thellimin e shkëmbimeve ekonomike e tregtare mes dy vendeve.Në drejtim të zhvillimeve të brendshme, kreu i LSI-së theksoi se konflikti i vazhdueshëm politik në vend e ka bllokuar avancimin e integrimit evropian të Shqipërisë, dhe nënvizoi se Lëvizja Socialiste për Integrim do të vazhdojë rolin e saj moderues dhe pozitiv.Gjithashtu, Meta u shpreh se pavarësisht disa zhvillimeve shqetësuese në rajon kohët e fundit, veçanërisht në Luginën e Preshevës, Shqipëria do të vazhdojë linjën e saj konstruktive dhe politikën e fqinjësisë së mirë.Ambasadori Braathu, shprehu një vlerësim të veçantë për politikën e jashtme dhe rajonale të Shqipërisë, duke vënë në dukje se konstruktiviteti i Tiranës zyrtare ka patur një efekt stabilizues në vite në rajonin e Ballkanit Perëndimor.Gjithashtu, Ambasadori i Norvegjisë u shpreh se investitorët norvegjezë po tregojnë një interes në rritje ndaj potencialeve të Shqipërisë në fushat e energjisë dhe teknologjisë së informacionit, duke theksuar se suksesi i projektit TAP do të hapte rrugën për më tepër investime në vend e rajon.