Berisha: Ne po përgatisim qeverisjen e radhës, Rama për bllokimin
Kryeministri Berisha ka deklaruar sot se ndërsa mazhoranca po përgatitet për marrjen e mandatit të tretë qeverisës, kreu i PS-së Edi Rama se po përgatit bllokimin e radhës.Duke folur në mbledhjen e grupit të PD-së, Berisha akuzoi Ramën se po përgatit justifikimin e humbjes së radhës të zgjedhjeve të 23 Qershorit.“Ne duhet të ndërmarrim reforma edhe gjatë muajve para 23 Qershorit në mënyrë që pas zgjedhjeve të mund të ekzistojnë kuadri i një seri reformash për tu zbatuar në mandatin e tretë ndërsa zotëria bën gati bojkotin e tretë por në një vend të lirë secili bën zgjedhjen e tij. Rama dy muaj më parë u ra sirenave brenda dhe jashtë vendit, shkruajti me dhjetra letra në të katër anët duke u thënë ndërkombëtareve se Berisha po më merr mandatet. Ai tani po përgatit post 23 qershor. Edhe pollet e nxjerrin përtokë dhe janë polle të bëra nga krahu i tij jo yni” tha Berisha.Kryeministri ka deklaruar se detyrat kryesore të maxhorancës qeverisëse gjatë këtyre muajve janë vetëm dy, së pari përgatitja e zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe vijimi i reformave ne gjithe sektorët."Ne kemi të gjitha kushtet, infrastrukturën dhe vullnetin e hekurt për të zhvilluar zgjedhje të lira e të ndershme, ne si qeveri jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për këto zgjedhje" shtoi kryeministri.Sipas Berishës, qeveria do të ecë për procesin e integrimit të vendosur dhe duhet të bëjmë gjithçka për realizimin e reformave.“Të gjitha reformat ekonomike të sigurisë dhe rendit dhe ato në luftën kundër korrupsionit duhet të ndërmerren me vendosmëri të madhe. Rama është në panik total, ka gjithë këto ditë, sulmon forcat e rendit, se kanë treguesin më të lartë të zbulimin e krimit, kurrë ndonjëherë s’ka pasur shkallë zbulueshmërie dhe goditje sa ekziston sot. Kishte mbledhur policët e përjashtuar për trafiqe dhe të burgosur dhe nga vetë PS për vjedhje dhe shpërdorime gjatë qeverisë së tyre. Ne nuk duhet te perfitojme nga paniku i kundërshtarët, duhet të vazhdojmë përpjekjen tonë për reforma në të gjithë sektorët, që makineria e reformave të mos njohë të ndaluar për shkak të fushatës” theksoi kryeministri.Berisha gjithashtu sulmoi edhe taksën progresiste të PS-së ndërsa e cilësoi kryesocialistin Rama si spekulator.“Më duhet t`i them këtij spekulatori që thekson se borxhi të matet si përqindje e GDP se spekulimi nuk shërben në sistemin aktual të taksave çdo njeri që merr më shumë paguan më shumë dhe ky është sistemi i taksave që ne kemi vendosur. Po të jetë për të paguar më shumë ky është sistemi po nëse kërkohet të futet urrejtja se përse ti fiton më shumë atëherë lexoni taksën e Kolekës, e cila sipas studimeve është faktuar si një taksë që rrënon qindra vende pune dhe largon investitorët nga vendi. Është faktuar si një taksë që nxit në mënyrë më të fuqishme evazionin fiskal. Ky zotëria thotë se do ngrejë agjensinë speciale, policinë speciale. E kuptoni ju se cila është platforma e tyre” tha Berisha.Gjithashtu se kryeministri Berisha bëri një përmbledhje edhe të diskutimeve të Konferencës së Mynihut ndërsa theksoi se Shqipëria u paraqit në këtë seancë si një vend i cili ka shënuar rritje ekonomike.“Ishte shumë e rëndësishme që të shkonin në këtë seancë si një vend me rritje ekonomike dhe pa recesion, si një vend që janë rritur eksportet dhe jam i bindur se me reformat që do të ndërmarrim ekonomia shqiptare do të njohë nivele të reja rritjeje” theksoi Berisha.