Pas Berishës dhe Ramës Komisioneri Fyle takohet me Nishanin

Komisioneri Europian për Zgjerim Stefan Fyle i cili ndodhet që prej mbrëmjes së djeshme në Tiranë ka nisur që herët në mëngjes axhendën e takimeve ku në fokus do të jenë zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe axhenda europiane e Shqipërisë.Takimin e parë në Tiranë, komisioneri Fyle e ka zhvilluar në hotel Sheraton me të gjithë ambasadorët e vendeve të BE-së të akredituar në Tiranë.Në një prononcim për mediat pas takimit, Ambasadori i Mbretërisë së Holandës në Tiranë, Martin De La Beij theksoi se me komisionerin Fyle është folur për zgjedhjet parlamentare dhe për axhendën integruese të Shqipërisë.Ndërsa më pas në orën 9:30, komisioneri për zgjerim në BE Stefan Fule i shoqëruar edhe nga ambasadori i BE-së në Tiranë Ettore Sequi është takuar me dy ambasadorët, atë të SHBA-së Aleksandër Arvizu dhe të OSBE-së Eugen Wollfarth.Më pas, në orën 11:00 komisioneri Fyle është takuar me kryeministrin e vendit Sali Berisha dhe më pas në orën 12:14 është takuar edhe me kreun e PS-së Edi Rama, në një përpjekje për të mundësuar një rrugëzgjidhje për miratimin në Parlament të tre ligjeve të përcaktuara nga Brukseli si kusht për marrjen e statusit të vendit kandidat.Ndërsa takimin e fundit në Tiranë, komisioneri Fyle e ka zhvilluar me Presidentin e Republikës Bujar Nishani në një lokal të periferi të Tiranës.Komisioneri për zgjerimin në BE Stefan Fyle, në profilin e tij në rrjetin social “Twitter” ka shkruar sot se ndodhet në Tiranë për çështjen më të rëndësishme, atë të zgjedhjeve të 23 qershorit.“Erdha në Tiranë për të adresuar pyetjen më të rëndësishme për shtetin modern shqiptar.  Çfarë duhet bërë që zgjedhjet në Shqipëri të jenë të pakontestueshme?” shkruan Fyle në Twitter.Ndërkohë vizita e komisionerit Fyle në Tiranë zhvillohet në një kohë kur palët politike shqiptare po bëjnë llogaritë elektorale, të cilat kanë rritur më tej tensionin e brendshëm.Tetorin e kaluar, komisioni i rekomandoi vendeve anëtare dhënien e statusit Shqipërisë me kusht që të miratohej reforma parlamentare, ndryshimet në ligjin për Gjykatën e Lartë dhe në atë të nëpunësit civil.Opozita e kushtëzoi një kompromis të mundshëm me zgjidhjen e çështjes së qarkut të Fierit ku ajo pretendon se shumica ka uzurpuar drejtimin e tij. Sipas opozitës një seri vendimesh të të gjitha shkallëve të gjyqësorit shqiptar i kanë dhënë të drejtë asaj. Por e djathta në pushtet pretendon të kundërtën duke shpjeguar se çështjet gjyqësore nuk kanë përfunduar ende.Ndonëse i gjendur nën presionin e kritikave për përdorimin e një kauze me interes më të vogël përballë atij për integrimit europian, kryetari socialist i ka mëshuar faktit se në këtë rast bëhet fjalë për një çështje parimore, ku nuk ka kuptim të kërkohet miratimi i reformave në drejtësi kur vendimet e gjykatave sipas tij shkelen dhe nuk njihen nga qeveria.Për shkak të kësaj përplasjeje, në Dhjetor vendet anëtare të BE nuk morën dot një vendim për Shqipërinë, duke lënë të hapur mundësinë që të shqyrtojnë kërkesën e saj për anëtarësim sapo të ketë përmbushur detyrimet e përcaktuara nga komisioni.