Kukës, banorët e Lojmës jo më të izoluar
Më shumë se 1000 banorë të fshatit Lojme, të komunës Zapod të rrethit të Kukësit, tashmë do të dalin nga izolimi që shkaktohej si pasojë e mungesës së një ure e cila lidh fshatin me rrugën nacionale Kukës-Shishtavec.Këta banorë deri tani detyroheshin të hynin apo dilnin nga fshati përmes një ure, të shekullit të kaluar, e cila ishte e përbërë prej drurit e që shpesh herë ishte bërë shkak për aksidente në të cilat ishin përfshirë banorët e fshatit.Tashmë kjo urë, që duket më së miri edhe në këto pamje, është zëvëndësuar nga një urë e parametrave të duhur e cila do shërbejë, jo vetëm për kalimin e banorëve, por edhe automjeteve që futen apo dalin nga fshati ndonëse këto të fundit duhet të jenë të tipit furostradë pasi rruga që të çon në fshat është jashtëzakonisht e vështirë për tu përshkuar.Edhe kjo rrugë është hapur falë punës që kanë bërë kompanitë që po ndërtojnë hidrocentrale në këtë zonë, pasi deri tani 1000 banorët e fshatit nuk kanë pasur asnjë rrugë automobilistike, cka I detyronte që të ecnin për orë të tëra në këmbë për t'u furnizuar me ushqime apo nevoja të tjera. Fshati Lojme, është një nga 6 fshatrat e komunës Zapod, e cila është edhe një nga komunat më të varfra të veri-lindjes.