Gjykata e Apelit shtyn për në 13 Shkurt vendimin për Gërdecin

Kur pritej vendimi për 29 të pandehurit e çështjes së Gërdecit, Gjykata e Apelit në Tiranë ka shtyrë dhënien e vendimit. Trupi gjykues e ka argumetuar shtyrjen me volumin e çështjes, duke vendosur për datën 13 shkurt si ditë kur do të shpallet vendimi. Ndërsa i fortë ka qënë reagimi i familjarëve të viktimave jashtë sallës, ku Zamira Durda kërkoi që të pandehurit të akuzohen për vrasje.“Është pazar, edhe këtu gjasa të atilla si tëshkallës së parë janë, presim që të vlerësojë sic duhet sepse është përdorur për shkak të rregullave në punë dhe është rrëzuar ajo e vrasjes. Ne kërkojmë që gjykata të pranojë kërkesën e Prokurorisë për vendosjen e kauzës së vrasjes” tha ajo.Ndërkohë që një dite më parë përmes një letre të hapur familjarët e viktimave të Gërdecit I bënë apel trupit gjykues të jetë i drejtë me ta dhe të respektojë ligjin.“Kemi 5 vjet që gjendemi përpara faktit gati të kryer. Ndërkohë jetë të tjera kanë humbur për shkak të dhimbjes së krijuar. Ju kujtojmë tragjedinë e familjes Osmani, ku së fundmi vrau veten dhe Tushja e cila la pas një mbesë vetëm 5 vjeç. Aq sa vitet që ne presim për drejtësi. Ju kujtojmë se jo vetëm kronika e vdekjeve në Gërdec ka qënë e paralajmëruar, por dhe lehtësia e dënimeve të fajtorëve duket se është e paralajmëruar. Jetët tona ishin të pavlera nëse shihen kushtet e sigurimit të shëndetit e të jetës që nuk respektoheshin, por dhe drejtësia për humbjen e tyre nuk duket se ka patur fat më të mirë.”- thuhet në letrën e familjarëve të viktimave që humbën jetën në tragjedinë e Gërdecit.Ndërsa në seancën që pritej të zhvillohej sot nuk ishin të pranishëm shumica e të pandehurve kryesorë. Çështja e Gërdecit është prej 3 muajsh në Gjykatën e Apelit dhe pas degjimit të palëve, pritet vendimi i cili do të jetë i formës së prerë.Ndërkaq më 12 mars 2012 Gjykata e Shkallës së Parë dha vendimin për 29 të akuzuarit e çështjes së “Gërdecit”, duke dënuar me 18 vjet burg ish-kreun e kompanisë MEICO-s, Ylli Pinari dhe ish-drejtorin e Fabrikës, Dritan Minxolli dhe me 10 vjet burg ish- administratorin shqiptar të “Albademil” sh.p.k, Mihal Delijorgjin.