Në mesnatë Fyle vjen në Tiranë, nesër beteja e fundit për tre ligjet e integrimit
Zbardhet axhenda e Komisionerit për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Stefan Fyle, në Tiranë, në një përpjekje të fundit për të mundësuar një rrugëzgjidhje për miratimin në parlament të tre reformave të përcaktuara nga Brukseli si kusht që vendi të marrë statusin kandidat.Komisioneri Stefan Fyle do të bëjë një përpjekje personale për të çuar drejt kompromisit shumicën dhe opozitën në Shqipëri, në mënyrë që vendi të ketë një shans për të marrë statusin kandidat, Qershorin e ardhshëm.Takimet e para të ditës së nesërme, Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Stefan Fyle, do ti ketë me Ambasadorin e BE-së Ettore Sequi dhe Ambasadorin e OSBE-së, Eugen Ëollfarth.Komisioneri,Stefan Fyle, mbërrin sot në mbrëmje në Tiranë, dhe nesër në orën 10:45, do të zhvillojë një takim me kryeministrin shqiptar, Sali Berisha, kurse në orën 12:05 pritet të takohet me kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama.Pas takimit me Berishën dhe Ramën, Stefan Fyle, do takohet me Presidentin Bujar Nishani.Vizita e tij këtë herë ka vetëm një objektiv, të mund të zgjidhë ngërcin që ka mbajtur të bllokuar avancimin e Shqipërisë në rrugën e integrimit Europian.SipasKomisionerit Fyle, Shqipëria ka një shans për ta marrë statusin në Qershor, por brenda pranverës ajo duhet të miratojë tre reformat në mënyrë që komisioni t’i paraqesë rekomandimin e tij vendeve anëtare.Tetorin e kaluar, komisioni i rekomandoi vendeve anëtare dhënien e statusit Shqipërisë me kusht që të miratohej reforma parlamentare, ndryshimet në ligjin për Gjykatën e Lartë dhe në atë të nëpunësit civil.Opozita e kushtëzoi një kompromis të mundshëm me zgjidhjen e cështjes së qarkut të Fierit ku ajo pretendon se shumica ka uzurpuar drejtimin e tij. Sipas opozitës një seri vendimesh të të gjitha shkallëve të gjyqësorit shqiptar i kanë dhënë të drejtë asaj. Por e djathta në pushtet pretendon të kundërtën duke shpjeguar se çështjet gjyqësore nuk kanë përfunduar ende.Ndonëse i gjendur nën presionin e kritikave për përdorimin e një kauze me interes më të vogël përballë atij për integrimit europian, kryetari socialist i ka mëshuar faktit se në këtë rast bëhet fjalë për një çështje parimore, ku nuk ka kuptim të kërkohet miratimi i reformave në drejtësi kur vendimet e gjykatave sipas tij shkelen dhe nuk njihen nga qeveria.Për shkak të kësaj përplasjeje, në Dhjetor vendet anëtare të BE nuk morën dot një vendim për Shqipërinë, duke lënë të hapur mundësinë që të shqyrtojnë kërkesën e saj për anëtarësim sapo të ketë përmbushur detyrimet e përcaktuara nga komisioni.Vizita në Tiranë e komisionerit Fyle nuk pritet të jetë një mision i lehtë. Nuk dihet nëse ai do t’ju paraqesë palëve një formulë kompromisi apo thjesht do të përpiqet që të ushtrojë trysni në emër të interesit që vendi të përparojë në rrugën e integrimit. Mes palëve politike shqiptare janë në lojë edhe llogaritë elektorale, të cilat e kanë rritur më tej tensionin e brendshëm.