Tre ligjet, Meta apelon sërish politikën: Të reflektojmë para vizitës së Fules
Statusi nuk është dekoratë, por do të thotë më shumë investime, punësim dhe projekte. Kështu ka deklaruar kreu i LSI-së Ilir Meta, duke apeluar edhe njëherë në drejtim të dy forcave kryesore politike që te reflektojne perpara vizites se Fules, për t’i thënë jo politikës së konfliktit dhe po progresit dhe integrimit të vendit.“Prandaj LSI-ja ka bërë thirrje dhe unë përsëri sot këtu duke pasur në konsideratë se ditën e hënë vjen në Tiranë komisioneri për Zgjerimin i Komisionit Europian, i ftojmë të gjitha forcat politike që të dëgjojnë dhe të respektojnë aspiratën e qytetarëve shqiptarë përtej bindjeve politike që Shqipëria ta marrë statusin e vendit kandidat që reputacioni dhe besueshmëria e vendit të rritet kudo, por edhe për Shqipërinë dhe Fierin. Të hapen mundësi më të shpejta dhe më të mira për të përmirësuar jetën tuaj dhe njëkohësisht për të shtuar vendet e reja të punës. Le ti themi jo politikës konfliktuale, le ti themi jo sherreve të së kaluarës, le ti themi jo betejës së monumenteve, le të kujdesemi për të rinjtë, le të kujdesemi më shumë për të moshuarit, të përqendrohemi tek zhvillimi i ekonomisë, tek hapja e vendeve të reja të punës, të ndërmarrim nisma të cilat krijojnë mundësinë që çdo qytetar i Fierit dhe i gjithë Shqipërisë të ecë më shpejt në rrugën e begatisë, në rrugën e nderimit të një të ardhmeje të sigurt në Shqipëri"tha ai.Nga qyteti i Fierit, gjatë një takimi me strukturat drejtuese të Lëvizjes Socialiste për Integrim të rajonit numër 1 të qytetit, Meta ka ftuar qytetarët fierakë dhe mbarë elektoratin shqiptar të votojnë LSI në 23 qershor, si forcën e integrimit dhe progresit në vend.“Ne po e shohim se edhe emigrantët tanë po jetojnë në kushte mjaft të vështira. Ne po e shohim se emigracioni nuk mund të jetë zgjidhje dhe nuk duhet të jetë zgjidhje për të rinjtë që janë këtu në sallë, që janë jashtë kësaj salle në Fier dhe në gjithë Shqipërinë. Ndaj LSI është përkushtuar për të ardhmen e këtyre të rinjve, ndaj LSI mendon se vetëm reformat konkrete do ta çojnë Shqipërinë përpara. Ndaj LSI nuk i shërben konflikteve politike por përkundrazi kërkon të ndërtojë ura bashkëpunimi sepse vetëm përmes bashkëpunimit, ndarjes së përgjegjësive ne do të plotësojmë aspiratat dhe kërkesat tuaja për një jetë më të mirë”. Suksesi i LSI-së do të varet edhe nga angazhimi i çdo anëtari dhe simpatizanti të LSI-së” tha Meta.