Mandatet, Berisha: Rama me parimin "ç’më duhet mua ç’them unë"
Kryeministri Sali Berisha ka komentuar sot në rrjetin social “Facebook” vendimin e Kuvendit për ndarjen e mandateve si në vitin 2009.Në profilin e tij në Facebook, Kryeministri ironizon kreun e PS-së Edi Rama duke theksuar se në veprimet e tij ai bazohet në parimin “ç’më duhet mua se ç’them unë”.Berisha ka deklaruar se Rama, bllokimin e më pas kerkesën për të votuar atë që hodhi poshtë në KQZ, e bën për të justifikuar humbjen e ardhshme të zgjedhjeve."Dy muaj më parë, bazuar në ndryshimet demografike të 4 viteve të fundit, KQZ votoi projektin e shpërndarjes së mandateve, sipas të cilit qarqet e Tiranës dhe Durresit duhet të merrnin nga një mandat nga Korça dhe Berati. z Rama e hodhi poshtë projektin dhe akuzoi qeverinë për tentativë për vjedhje mandatesh para zgjedhjeve. Ai kërkoi Komision Hetimor si dhe shkarkimin e Ministrit të Brendshëm për manipulim, sipas tij, të listave të zgjedhësve në Kukës. Në këto kushte, Komisioni i Ligjeve i propozoi Parlamentit shpërndarjen e mandateve sipas vitit 2009. Mirëpo edhe këtë herë, i bazuar në parimin “ç’më duhet mua se ç’them unë”, z.Rama e kundërshtoi këtë dhe befas kërkoi të miratohet varianti i mëparshëm i paraqitur në KQZ nga Ministria e Brendshme, të cilin e kishte hedhur poshtë, sepse me të i vidheshin mandatet. Ai e bëri këtë, sepse i duhet për të justifikuar humbjen e ardhshme të zgjedhjeve. Kur njëri nga vartësit e pyeti se ç’po ndodhte kështu, z.Rama u përgjigj prerë: “Nuk më duhet gjë se çfarë them unë” shkruan Berisha.