PD akuza Ramës: I është rikthyer sindromës së vjetër,“po s’fitova unë, zgjedhjet nuk njihen”
Partia Demokratike ka lëshuar akuza të ashpra në drejtim të kreut të selisë rozë, Edi Rama, ku deklaroi se po tenton të minojë proçesin zgjedhor me akuza dhe mospjesëmarrje në vendimarrjet që opozita detyrohet t’i zbatojë me ligj. Zëdhënësja e selisë blu Laura Vorpsi, përmes një deklarate për mediat tha se Rama i është rikthyer sindromës së vjetër të sulmit ndaj proçesit zgjedhor me moton tashmë të njohur nga të gjithë shqiptarët: “Po nuk fitova unë, zgjedhjet nuk njihen.“Shqiptarët i mbajnë mend shumë mirë sulmet qe ai u bëri zgjedhjeve lokale të 2007 -ës për çertifikatat, të 2009 -ës për kartat e identitetit dhe 2011 -ës për të gjitha. Rama u qa pa arsye për 2007 -ën, u qa pa asrye për 2009 -ën, pa arsye për 2011 -ën dhe nuk ka si të mos qahet pa arsye edhe për 2013 -ën.Edi Rama po kërkon sot atë ndarje mandatesh që e refuzoi pa arsye në KQZ më 23 nëntor. Mjafton vetëm ky moment për të kuptuar jo vetëm papërgjegjshmërinë politike të z. Rama, por edhe paqëndrueshmërinë psikike që i shtohet çdo minutë e më shumë me afrimin e datës së zgjedhjeve të 23 qershorit”- deklaroi Vorpsi.Sipas Vorpsit qarja përpara zgjedhjeve i është kthyer në një sëmundje patologjike, të pashërueshme.“Sot, sindroma e Ramës për mosnjohjen e zgjedhjeve rëndohet akoma më shumë për shkak të “kapsllëkut” politik që po kalon ai vetë dhe partia të cilën ai drejton. Sot, kur ndihet më i vetmuar se kurrë, kur aleatët po e braktisin më me shpejtësi sesa socialistët në Këshillat Bashkiakë në të gjithë Shqipërinë, kur ka ngelur në çarkun që ka ngritur vetë me mosvotimin e 3 ligjeve dhe kur ka zhgenjyer përfundimisht njëherë e përgjithmonë cdo shqiptar kudo ku jeton me mosvotimin e ligjeve të integrimit, Rama po kërkon më shumë se çdo herë tjetër të dëmtojë zgjedhjet, pasi edhe vetë ai është i bindur tashmë për humbjen e madhe më 23 qershor”- tha ajo.Në përfundim Vorpsi deklaroi se paburrëria e tij për t’u përballur ndershmërisht në beteja elektorale, e kanë shndërruar atë në goren e vërtetë të çdo proçesi zgjedhor dhe në pengmarrësin më të madh të ëndrrës europiane të popullit shqiptar.