Politika shqiptare dënon ashpër sulmin në Ambasadën e SHBA-së në Ankara
Kryetari i Partisë Socialiste ka reaguar pas sulmit ndaj Ambasadës amerikane në Ankara, duke shprehur solidarizimin me popullin amerikan. Në rrejtin social twitter Rama e vlerëson ngjarjen e rëndë si një luftë të pashpresë për forcat e errësirës.“Sulmi, vazhdë e një lufte të dëshpëruar të forcave të errësirës. Sulmi kundër forcës simbol të botës demokratike. Shqipëria ka qenë dhe do mbetet solidare me SHBA-në. Shqipëria me SHBA-në në çdo front të kësaj lufte të vështirë. Kjo luftë e pashpresë për forcat e errësirës” shkruan Rama.Edhe Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet ka dënuar ashpër sulmin e ndërmarrë ndaj ambasadës Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ankara, ndërsa u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjeve të dy viktimave dhe të të lënduarve.“Duke qenë se ky atentat prek dy shtetet mike më të afërt dhe aleatët më besnikë të Shqipërisë, SHBA-në dhe Turqinë, ne ndihemi veçanërisht të pikëlluar për këtë atentat dhe shprehim solidaritetin tonë të palëkundur ndaj tyre. Në këtë rast ne konfirmojmë që do qëndrojmë gjithmonë përkrah këtyre shteteve në luftën kundër terrorizmit dhe i gjithë kombi shqiptar do të japë kontributin maksimal në çdo front të kësaj lufte” thuhet në deklaratën e PDIU-së.Po kështu Lëvizja Socialiste për Integrim ka dënuar sulmin ndaj Ambasadës Amerikane në Ankara.“Jemi pranë qeverisë dhe popullit amerikan. Terrorizmi është i destinuar të dështojë, Shqipëria është në krah të SHBA në luftën kundër terrorizmit. Solidaritet me familjet viktimave” theksohet në deklaratën e lëshuar nga LSI.Më herët një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur para ambasadës amerikane në Ankara dhe deri më tani është regjistruar një i vdekur dhe disa të plagosur.Mediat ndërkombëtare raportojnë se situata në zonë është tensionuar mjaft dhe dëgjohen sirenat e ambulancave, ndërsa kontrolli është forcuar ndjeshëm.Raportimet paraprake bëjnë të ditur se një person, që dyshohet se ishte kamikaz është vrarë. Sipas televizionit turk NTV, shpërthimi nuk ka shkaktuar dëmtim brenda ambasadës.