Arvizu në Prokurorinë e Tiranës:Të luftohet korrupsioni zyrtar

Ambasadori i SHBA-së në Tiranë Aleksandër Arvizu u ka bërë apel prokurorëve të rrisin luftën kundër korrupsionit.Duke folur në seminarin “Lufta Kundër Korrupsionit Gjyqësor dhe Politik,” në Prokurorinë e Tiranës, diplomati amerikan theksoi se nuk ka pasur përparim të mjaftueshëm në ndëshkimin e zyrtarëve të korruptuar."Meqenëse parlamenti në shtator miratoi një amendament kushtetues që reformonte dhe hiqte disa imunitete për një numër zyrtarësh edhe në gjyqësor, tani është koha për ta rrokur këtë nismë dhe në luftën kundër korrupsionit zyrtar. Këto seminare janë shumë praktike. Synojnë t’ju japin mjetet për të hetuar, ndjekur penalisht korrupsionin, por edhe që, duke bërë këtë, shpresojmë të punojmë nëpërmjet jush për të rritur nivelin e besimit të publikut se mund të bëhet më shumë përparim në luftën kundër korrupsionit"është shprehur Arvizu.Sipas ambasadorit Arvizu, tashmë është koha për të luftuar korrupsionin ndërsa ka shtuar se pandërshkueshmëria është një nga problemet të cilat do të bëjnë të mundur që vendi ynë të mos i plotësojë asnjëherë aspiratat e tij."Sa herë që ka një fjalim, qoftë nga Sekretarja e Shtetit Hilari Klinton apo nga Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fyle, në çdo fjalim, do ketë një koment për korrupsionin zyrtar. Nuk është veç një frazë për të kaluar radhën; nuk është njësoj si të thuash ‘mirëmëngjes’ apo ‘faleminderit.’ Ka një arsye pse ajo frazë është aty. Dhe arsyeja është që pavarësisht përpjekjeve të mira, përpjekjeve më të mira nga shumë persona të përkushtuar në prokurori, gjyqësor, polici; ka shumë përpjekje individuale të përgëzueshme, të lavdërueshme, por, në përgjithësi, nga pikëpamja e Shteteve të Bashkuara, po bëhet përparim i pamjaftueshëm në luftën kundër korrupsionit zyrtar dhe kulturën e pandëshkueshmërisë. Mendoj se ky faktor si çdo faktor tjetër përbën pengesë për hyrjen në BE dhe vërtet është i papranueshëm për një vend si Shqipëria që ka të drejtën legjitime të aspirojë të bëhet pjesë e BE-së" shtoi Arvizu.

Ndërkohë, prokurori i përgjithshëm Adriatik Llala është shprehur se korrupsioni është pengesë e kapërcyeshme por shtoi se kufizimi i imunitetit përbën një lehtësi për hetimin e Prokurorisë.
Kryeprokurori Llalla premtoi luftë pa kompromis kundër korrupsionit ndërsa ka shprehur edhe mirënjohjen ndaj Shteteve të Bashkuara për mbështetjen që i kanë dhënë Prokurorisë.