Klevis Muja padit Kryeministrinë në Kushtetuese, kërkon rimarrjen e drejtimit të Komunës

Ish kryetari i komunës Rrethina në Shkodër, Klevis Muja, i arrestuar 8 muaj më parë për trafik ndërkombëtar të lendëve narkotike për llogari të shtetit italian,ka cuar cështjen e tij në gjykatën Kushtetuese. Muja kërkon që vendimi i Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij nga detyra,i datës 25 qershor 2012 të shpallet antikushtetues.Seanca e parë e zhvilluar ka nisur me shtyrje,pasi në sallë nuk ishte pala e interesuar, Këshilli i Ministrave. Avokati i mujës Ardian Visha kërkoi që kjo palë duhet të jetë e pranishme, pasi nuk kanë dijeni se përse klienti i tij është shkarkuar nga detyra e funksionarit lokal.Pas argumentimit të avokatit, gjykata Kushtetuese vendosi të shtyje seancën për në datën 11 shkurt ku pritet të jetë e pranishme edhe pala e Kryeministrisë. Muja u arrestua në muajin qershor pas një hetimi të Prokurorisë së Barit. Sipas këtij hetimi ai ishte pjesë e një grupi criminal, ku bënin pjese serbë,malazez dhe kolumbiane, grup që trasportonte kokainë nga Kolumbia në drejtim të Europës Perëndimore.Pas shpalljes së Klevis Mujës si person në kërkim ndërkombëtar, ai u arrestua në Shkodër dhe u dërgua në burgun e Shënkollit, pas marrjes së masës së sigurisë. Muja gjatë kohës së paraburgimit u tentua që të vritej nga një tjetër i burgosur, Xheladin Kruja. Ai mbeti i plagosur rëndë dhe tashmë gjendja e tij shëndetësore është përmirësuar,ndërsa sipas avokatit të tij sulmi në burgun e Lezhës ishte mafioz dhe i mirëorganizuar.