Topalli,Niksiç: Dy vendet tona e kanë projektuar veten në BE
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli priti sot në takim Kryeministrin e Federatës së Bosnje Hercegovinës, zoti Nermin Niksic, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri, me ftesë të Kryeministrit Berisha.Kryetarja e Kuvendit tha se kjo vizitë vjen si një inkurajim i bashkëpunimit edhe më të ngushtë mes dy vendeve tona, që natyrshëm duhet të jenë shumë të afërta.“Dy vendet tona e kanë projektuar veten në BE dhe ky synim e bën të domosdoshëm bashkëpunimin tonë”, tha Kryetarja Topalli.Kryeministri Niksic tha se “Shqipëria ka një epërsi; ajo është anëtare e NATO-s”. “Dy vendet tona kanë një rrugëtim të përbashkët drejt BE-së dhe jemi partnerë në arritjen e këtij objektivi. Ne e kemi lakmi infrastrukturën tuaj rrugore, theksoi Niksic, dhe në këtë fushë po ecim sipas modelit tuaj.”Në takim u diskutua për forcimin e shkëmbimeve ekonomike. Kryetarja e Kuvendit tha se është një lajm shumë i mirë për qytetarët dhe për biznesin, diskutimi për lëvizjen midis dy vendeve vetëm me Karta Identiteti, si dhe hapja e Ambasadës së Bosnje Hercegovinës në Shqipëri.Kryetarja e Kuvendit theksoi se shkëmbimet e vizitave parlamentare, jo vetëm në nivele të larta por edhe të komisioneve e grupeve të deputetëve janë një instrument shumë i rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe dy popujve.Duke folur për çështjet rajonale, Kryetarja e Kuvendit u ndal edhe në çështjen e Kosovës, duke theksuar se pavarësia e saj po i shërben stabilitetit në rajon. “Kosova po konsolidon shtetin ligjor dhe e ardhmja e saj, ashtu si e vendeve të Ballkanit është në BE”tha ajo.