MB: Rama po përbalt policinë, do vazhdojmë mbështetjen ndaj bluve

Ministria e Brendshme ka reaguar sërish sot pas akuzave të kreut të PS, Edi Rama, se policia është e harruar nga shteti. Në një dalje për mediat zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme Leonard Olli hodhi poshtë akuzat e Kryesocialistit, duke deklaruar se ishte pikërisht vullneti i kësaj qeverie që e nxori policinë nga bataku ku e kishte futur partia e zotit. Rama."Zoti Rama vijoi sërish sulmet e paprincipta ndaj efektivave të Policisë së Shetit. Ai sërish përdhosi sakrificën dhe përkushtimin e tyre në ruajtje dhe mbrojtje të jetës dhe pronës së qytetarit. Zoti Rama, para se të flasë për ruajtjen e mbrojtjen e pronës, duhet të japë llogari për vjedhjen dhe përvetësimet e pronave të mijëra qytetarëve të Tiranës, në kohën kur ishte kryebashkiak. Dhe për këtë, e ka marrë një përgjigje më 8 maj. I kujtojmë zotit Rama se vullneti i politik i kësaj qeverie e nxori Policinë nga bataku ku e kishte zhytur qeverisja e partisë së tij, i ktheu realisht dinjitetin e nëpërkëmbur, duke e zhveshur tërësisht nga inkriminimi" tha ai.Duke e akuzuar si një ndër politikanët me lidhjet më të shumta me krimin, Olli vlersoi se modeli që paraqiti sot kreu i PS-së për policinë ishte shembulli i fëmijëve të Rucit dhe Luiza Xhuvanit."Por, me këto sulme ai nuk do të mundë të mbulojë kurrë faktin se është politikani me lidhjet më të forta me krimin dhe botën e tij. Sulmet dhe përbaltja e Policisë së Shtetit në misionin e saj, janë provë e qartë e inkurajimit që ai kërkon t'i japë krimit. Këtë sulme janë prova të qarta të frikës që ka kapur atë dhe të gjithë elementët e inkriminuar, që ai mban rreth vetes. Alternativa e vetme që i ofron zoti Rama Policisë, për të përmirësuar marrëdhëniet me publikun, është shembulli i fëmijëve të Gramoz Ruçit dhe Luiza Xhuvanit. I kujtojmë zotit Rama se drejtuesit e korruptuar dhe të inkriminmuar, Policia e Shtetit i ka nxjerrë me kohë jashtë radhëve të saj dhe, sot, ata janë rreshtuar vetëm në krah të tij" deklaroi Olli.Duke i bërë thirrje të heqë dorë nga përbaltja e policisë si dhe të bëjë publike të ardhurat e tij, zoti. Olli garantoi policinë se MB dhe qeveria do të vazhdojnë mbështetjen pa rezerva në misionin e tyre do apo nuk do Rama dhe shpura e tij."Zoti Rama, Policia e Shtetit sot është një organizatë profesionale dhe bashkëkohore, e përkushtuar tërësisht në zbatim të ligjit dhe mbrojtjes së qytetarëve, jetës dhe pronës së tyre. Sot, Policia e Shtetit me profesionalizmin dhe rezultatet e shkëlqyera të saj në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, është një partnere e denjë e homologeve euro-atlantike. Ministria e Brendshme dhe Qeveria shqiptare do të vijojnë të mbështesin pa rezerva strukturat e Policisë së Shtetit në misionin e tyre të shenjtë, garantimin e rendit e sigurisë publike, do apo nuk do zoti Rama dhe shpura e tij, në panik të plotë"përfundoi ai.Më herët gjatë ditës kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama e ka cilësuar sërish si alarmante rritjen e kriminalitetit në vend. Duke folur në një tryezë për sigurinë, kryetari i PS-së theksoi se shifrat për kriminalitetetin janë të frikshme dhe policia ndihet e harruar nga shteti."Deklarata si ato të djeshmet janë të shkëputura nga realiteti dhe kanë arritur në pikën që policin nuk e konsidrojnë më punonjës të shtetit, vetëm kur duhet ta përdorin si militant partie. Kanë harruar sa paguhet polici i terrenit, kanë harruar ti paguajnë shpërblimet dhe punët jashtë orarit dhe kanë harruar se ai ekziston. Kjo është e vërteta e hidhur të një deklarate e cila tregon se në çfarë katandie është sot ministria e brendshme dhe kupola drejtuese e uniformave blu" tha Rama.Ai ka theksuar se jeta e qytetarëve dhe prona e tyre ka dalë jashtë kontrollit të policisë së shtetit ndërsa shifra e kontributeve për mbrojtjen e pronës është marramendëse.