Promovohet studimi monografik “Amianti-Azbesti”, vrasësi i heshtur kancerogjen
Studimi monografik “Amianti/Azbesti, vrasësi i fshehtë kancerogjen/Emergjenca “AMIANT“ në Shqipëri” është promovuar sot në sallën “Aleks Buda”, tek Akademia e Shkencave. Monografia e parë unike në vend është sjellë nga autorët: Petrit Vasili, Romeo Hanxhari, Agim Sinoimeri, Arben Luzati dhe Bilal Draçi. Libri mund të shfletohet nga të gjithë lexuesit, i domosdoshëm për profesionistët e shëndetit, ata që merren drejtpërdrejt me planifikimet dhe veprimtaritë ndërtimore por edhe me futjen e materialeve të caktuara ndërtimore dhe jo vetëm.Në fjalën e tij, zv/Kryetari i Bashkisë Tiranë Petrit Vasili, si autor i këtij libri u shpreh se kjo është monografia e parë unike me një problematikë të tillë dhe bëhet fjalë për një produkt i cili ka shkallën e kancerogjenitetit nga më të lartët, konfirmuar nga shkenca botërore.“Për këtë arsye amianti është rreptësishtë i ndaluar dhe me ligj, në Evropë e më gjerë por edhe në Shqipëri. Shkaktar kryesorë i kancereve shumë të egër, siç është mezotelioma dhe kanceri i mushkërive por edhe komplikacione të tjera shumë të rënda të papajtueshme me jetën”- tha Vasili.Sipas nënkryetarit të Bashkisë, studimi hedh dritë qartë mbi gjendjen e amiantit në Shqipëri, i cili është akumuluar ndër vite dhe ashtu siç edhe studimi tregon qartë, në periudhën 1960 ka patur një intensifikim të përdorimit të tij.Për sa i përket situatës dhe përdorimit aktual në Shqipëri, Vasili tha se amianti përdoret kryesisht në mbulimin e banesave, për izolimin e stufave të ndryshme të ngrohjes etj.“Pra, ka mjaft produkte të cilat potencialisht mund ta kenë amiantin. Ka qenë përdorur dikur edhe për veshjet e autobusëve, vagonëve të trenit, pra gjithkund. Studimi ka hedhur dritë mbi shumë mundësi ku ka qenë i mundshëm të akumulohet, por fusha e hulumtimit për gjetjen e tij duhet të vazhdojë akoma me intensitet më të lartë dhe ideja kryesore është trajtimi i këtij produkti me kujdes dhe profesionalizëm. Jo gjithmonë ai mund të shkatërrohet, duhet të kapsulohet. Pra, metodikat dhe se si bëhet i padëmshëm janë shkencërisht të qarta dhe të provuara dhe mbi to ne duhet të ecim dhe jo në mënyra të tjera, sepse në mënyra të këqija të eliminimit të tij, mund të shkaktojë një dëm të shtuar”- ka përfunduar Vasili.Romeo Hanxhari, drejtor i Politikave të Mjedisit në Bashkinë Tiranë u shpreh:“Amiantin/azbest e kemi në dy burime; e para nga trashëgimia e përdorimit të tij për rreth 60-70 vjet, që prej viteve 1930. Është kjo problematikë e trashëgimisë, e cila duhet trajtuar me kujdes. Eterniti që zakonisht mbulon çatitë e shumë impianteve industriale apo të objekteve të tjera, duhet të hiqen sipas një protokolli strikt-teknik, përndryshe lëshojnë fibra dhe ka pasoja. Së dyti, shpesh herë nga mosdija e organeve doganore por edhe nga kostoja e lirë e këtij materiali me origjinë nga vendet në zhvillim, e kemi gjetur të futur edhe gjatë këtyre viteve në formën e paneleve të tavaneve të varura apo në forma të tjera.Pra, do shumë kujdes në të gjitha strukturat e mjedisit, strukturat doganore, strukturat e kujdesit në punë, strukturat e shëndetit publik dhe të edukimit etj. Ne e kemi gjetur edhe në shkolla të reja, për shkak se mësuesit nuk e dinin që azbesti është i ndaluar edhe në Shqipëri prej vitesh. Është rreptësisht i ndaluar në Bashkimin Evropian prej vitit 2005 dhe ne e gjejmë edhe sot në shkollat tona, si mjet pune në laboratorët e kimisë”tha ai.