Basha: Investimi tek rinia gjimnaziste, investimi më i mirë për të ardhmen e e Tiranës

Pranë Bashkisë së Tiranës ka nisur sot zyrtarisht funksionimin Këshilli Rinor i Tiranës. Ky Këshill përbëhet nga 48 anëtarë, “presidentë” dhe “kryeministra” të 24 shkollave të mesme dhe profesionale të Tiranës. Më datë 25 janar, anëtarët e Këshillit Rinor kanë zhvilluar zgjedhjet për kryetar dhe nënkryetar të Këshillit. Në postin e Kryetarit është zgjedhur Fatjona Kulla, “presidente” e shkollës “Qemal Stafa” dhe nënkryetarë Abel Bejko, “president” i shkollës së Gjuhëve të Huaja “Asim Vokshi”, Fiona Metaliaj “presidente” e shkollës “Besnik Sykja”. Në hapje të mbledhjes së parë të këtij Këshilli, Kryebashkiaku Basha tha se Bashkia e Tiranës e konsideron investimin tek rinia gjimnaziste e Tiranës, si një ndër investimet më të mira për qytetin e Tiranës, për qytetarët e saj.“Dua t’ju them se si kryetar i Bashkisë së Tiranës, unë e konsideroj partneritetin me rininë gjimnaziste të Tiranës shumë të rëndësishëm për qytetin. Kjo do të thotë se Bashkia e Tiranës konsideron investimin tek rinia gjimnaziste e Tiranës, si një ndër investimet më të mira për qytetin e Tiranës, për qytetarët e saj. Nëse dikush ka ndonjë argument kundër me këtë çështje, unë jam i gatshëm ta dëgjoj. Me siguri në këtë sallë jo, por edhe jashtë kësaj salle! Kjo është arsyeja që Bashkia e Tiranës ka vendosur të investojë resurse njerëzore dhe financiare për të mbështetur axhendën e gjimnazeve dhe gjimnazistëve të Tiranës” – u shpreh Kryebashkiaku Basha.Kryetarja e Këshillit Rinor Fatjona Kulla tha se Këshilli Bashkiak Rinor do t’i japë fokusin e duhur rinisë, duke e bërë atë një kontribues të rëndësishëm në hartimin dhe zbatimin e politikave vendore.“Funksioni i kësaj strukturë rinore e ka zanafillën që në vitin 2003, kur të gjithë shtetet anëtare të Këshillit të Evropës nënshkruan Kartën për pjesëmarrjen rinore në jetën rajonale dhe vendore. Ndonëse Shqipëria ka qenë pjesë e kësaj marrëveshjeje që në atë kohë, vetëm sot kjo nismë po bëhet realitet nga Bashkia e Tiranës. Këshilli Bashkiak Rinor më në fund po i jep fokusin e duhur rinisë, duke e bërë atë pjesë integrale në jetën komunitare, jo vetëm si një grup i cili jeton në mënyrë pasive pasojat e politikave vendore, por si një kontribues i rëndësishëm në hartimin dhe zbatimin e tyre .Këshilli bashkiak rinor e pozicionon grupmoshën rinore, në nivelin e një partneri të drejtë, për të propozuar dhe për të marrë pjesë në vendime të rëndësishme për ata vetë, duke ofruar kështu një model i cili jo vetëm përgatit qytetarë të përgjegjshëm për të ardhmen por gjithashtu ofron një mirëqeverisje domethënëse për të rinjtë të cilët ofrojnë një perspektive më realiste, në nismat që kanë impakt tek të rinjtë. Ne besojmë se më mirë se ne, askush nuk di se ç’duam ne”.Para Këshillit Rinor, Drejtori i Artit dhe Kulturës Arben Skënderi dhe Drejtori i Rinisë dhe Sportit Artan Pogoni kanë paraqitur propozimin e Bashkisë së Tiranës, për kalendarin e aktiviteteve kulturore dhe sportive, ku protagonistë kryesore janë të rinjtë e shkollave të mesme të Tiranës. Ky kalendar do i nënshtrohet konsultimit me Këshillin Rinor dhe pasi të jenë marrë sugjerimet dhe komentet e Këshillit, do të miratohet.Z. Arben Skënderi- Drejtor i Artit dhe Kulturës:“Kemi menduar që profesionistë të fushave të ndryshme, si skenografë, regjisorë, kompozitorë, koreografë etj, të jenë udhëheqësit e projekteve tuaja, për të ngritur në këmbë spektaklet tuaja. Kemi menduar që në hapat e parë, në çdo shkollë do të zhvillohen minikonkurse të vogla, që ju vetë së bashku me profesionistët që do ju shoqërojnë, të mund të identifikoni qoftë pasionet por edhe talentet tuaja. Për disa, kjo gjë ka ndodhur, për të tjerë do të jetë një rrugëtim i afërt dhe pas kësaj, çdo shkollë do të zgjedhë veprën, pjesën apo spektaklin me të cilin do të konkurrojë në shkollën e tij e më pas mes shkollave të mesme të Tiranës.Ne kemi zgjedhur të asistohemi nga profesionistë, në mënyrë që në projektin tuaj, të mund të keni baza profesionale në atë që bëni dhe produkti juaj të jetë diçka për të cilën të ndiheni krenarë ju dhe ne. Natyrisht spektaklet tuaja, që nga skenografia, elementët e thjeshtë të ndërtimit dhe deri në vënien në skenë do te jene produkt i juaji.Ju do të konkurroni me njëri-tjetrin dhe do të jetë një punë disa mujore që do të përfundohet me spektaklin më të mirë, duke identifikuar më të mirët, si këngëtarë, kërcimtarë, aktorë etj. Përveç këtyre, do të stimulojmë edhe iniciativa më personale, si psh. fusha e fotografisë letërsisë etj”.Z. Artan Pogoni - Drejtor i Sportit:“Ne e kemi menduar në formën e një konkursi të të gjithë shkollave të mesme të kryeqytetit, që do të mbyllet me përfundimin e vitit shkollor. Do të jenë kampionate të lojrave masive, do të merremi me lojrat me dorë, volejboll, basketboll për meshkuj e femra dhe natyrisht me futbollin. Këto do të kulmojnë me fundin e vitit, ku shkolla më e mirë do të shpallet kampione e Tiranës. Duke u bashkuar edhe me pikët e kampionëve, fituesve në art dhe kulturë do të shpallen në një mbrëmje gala, fituesit e këtij viti akademik. Ndeshjet do te zhvillohen çdo javë, duke filluar nga muaji mars e deri në qershor, sipas një kalendari të mirëpërcaktuar.Përveç futbollit, basketbollit, volejbollit, kemi në kalendar një risi, të organizojmë “Ditët Olimpike të kryeqytetit”, gjë e cila nuk është zhvilluar ndonjëherë. Do të jetë një aktivitet masiv. Çdo shkollë do të ketë aktivitet sportiv, jo vetëm sport por edhe lojra popullore. Do të përpiqemi të sjellim pranë jush edhe disa risi sportive që në shkollat tuaja nuk bëhen si street - basket, një aktivitet masiv ku të rinjtë janë të lirë të bëjnë basketboll në rrugë 3 me 3. Një aktivitet tjetër është edhe “Dita Botërore e Dansit Sportiv”. Unë kam parë që nëpër shkolla keni grupet tuaja, aerobikë siç i quani ju. Do të zhvillojmë në Tiranë një ditë show, në sheshe të hapura të kryeqytetit, do të jenë në formën e konkurrimit, dhe grupi më i mirë i dansit sportiv, shpallet kampion i qytetit.Kryebashkiaku Lulzim Basha ka kërkuar që para Shën Valentinit, të jetë mbyllur kalendari me miratimin nga Këshilli Rinor.Kreu i Bashkisë u është përgjigjur më pas pyetjeve dhe ka marrë sugjerime nga të rinjtë. Një ndër sugjerimet ishte përfshirja në këtë projekt edhe e shkollave të mesme private të Tiranës. Po kështu, Kryebashkiaku shprehu mbështetje të plotë për projektin e shkollës “Çajupi”, për riciklimin e mbetjeve dhe kërkoi nga Këshilli Rinor, që një iniciativë e tillë të përhapet edhe në shkollat e tjera. Z. Basha ka garantuar “kryeministren” e shkollës “Qemal Stafa”, që rikonstruksioni dhe shtesa e saj do të nisë menjëherë pas përfundimit të këtij viti shkollor, sikundër me përjashtim të pesë shkollave të mesme të cilat do të kompletohen në 2014, të gjitha shkollat e mesme të tjera do të përfundojnë instalimin e sistemit të ngrohjes në vitin 2013.Z. Basha u shpreh i gatshëm të vërë në dispozicion resurset e Bashkisë, që përveç olimpiadave të matematikës, fizikës dhe biokimisë, të organizohen edhe ato të historisë, gjeografisë dhe gjuhëve të huaja, ku fituesit do të mund të zhvillojnë ture gjeografike, historike në Evropë, apo të vizitojnë kryeqytetet e vendeve që flitet gjuha në të cilën janë shpallur fitues.Maturantët e kryeqytetit kanë shprehur shqetësimin për trajtim të pabarabartë me maturantët e rretheve apo zonave në periferi të Tiranës, duke u dhënë atyre në mënyrë të padrejtë arritjen e rezultateve të larta në provimet e maturës shtetërore. Kryebashkiaku Basha ka garantuar se do të bëhet zëdhënës i tyre, jo vetëm pranë Ministrisë por dhe Këshillit të Ministrave.