Trojka e ambasadorëve takohet me Ramën: Zgjedhje kontruktive
Zgjedhjet dhe përgatitja e tyre ka qënë në qendër të takimit mes kreut të PS-së, Edi Rama dhe Trojkës së ambasadorëve, të SHBA-së, BE-së dhe OSBE-së në vendin tonë.Në emër edhe të dy kolegëve të tij, ambasadori i OSBE-së Eugen Wollfarth u bëri thirrje partive politike që të vijojnë dialogun dhe të merren seriozisht me procesin e përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme, në mënyrë që ato të zhvillohen sipas standardeve.“Përgatitja e zgjedhjeve sipas legjislacionit në fuqi është e një rëndësie maksimale. Të gjitha partitë, jo vetëm Partia Socialiste, duhet të jenë të interesuara për këtë. Përgatitjet po vijojnë. Ato përfshijnë edhe elementet elektronike që lidhen me numërimin dhe kartat e identitetit. Këto përgatitje, si dhe zgjedhjet, duhet të zhvillohen në mënyrë konstruktive sa u takon çështjeve që çojnë në një të ardhme më të paqtë për Shqipërinë, mes tyre: shteti i së drejtës, zhvillimi i mirë i çështjeve sociale dhe i ekonomisë ” tha Wollfarth.Sipas tij, KQZ dhe parlamenti permes komisionit parlamentar është duke punuar në këtë drejtim."Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po punon; parlamenti është momentalisht duke diskutuar në një komision, pra po punon dhe çdo gjë që është konstruktive ka mbështetjen tonë. Kjo është e rëndësishme për zhvillimin e Shqipërisë, për të ardhmen e Shqipërisë dhe për integrimin e Shqipërisë në strukturat ekzistuese në Evropë. Zhvilluam një bisedë shumë konstruktive me kryetarin e Partisë Socialiste, z. Edi Rama, për këto çështje. Çdo gjë që i shmanget kësaj mund të çonte në një atmosferë më pak konstruktive dhe ne shkurajojmë shikimin drejt gjërave të dëmshme. Dialogu ka filluar dhe do të vijojë" shtoi Wollfarth.Ndërsa kreu i PS-së Edi Rama është shprehur se në takimin me trojkën e ambasadorëve është folur si për situatën në Preshevë ashtu edhe për përgatitjet e zgjedhjeve."Ndamë shqetësimet dhe opinionin tonë për atë çka ndodhi në Preshevë dhe për qasjen tonë si dhe për çfarë po ndodhë me procesin përgatitor për zgjedhjet parlamentare. Ne jemi në sintoni të plotë me interesin kombëtar dhe partnerët ndërkombëtarë për të sotmen dhe të nesërmen e Shqipërisë në rajon, si dhe për domosdoshmërinë që zgjedhjet e ardhshme të mbyllin një kapitull farsash elektorale dhe të hapin një kapitull ku është populli që vendos për qeverisjen" tha Rama.