Ndarja e mandateve, Lleshi dhe Biba raportojnë te Ligjet

Kryetarja e KQZ-së  Lefteri Lleshi dhe nënkryetari Denar Biba kanë raportuar sot në Komisionin e Ligjeve në lidhje me çështjen e ndarjes së mandateve.Raportimi u kërkua dje nga deputetët socialistë të cilët e cilësuan si të paligjshme kërkesën e  Komisionit Qëndor të Zgjedhjeve për ndarjen e mandateve ta bëjë Kuvendi.Kryetarja e KQZ-së Lefteri Lleshi ka sqaruar arsyet se përse nuk u votua në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve ndarja e mandateve.“KQZ ka kryer llogaritjen e mandateve sipas informacioneve të marra nga Ministria e Brendshme.  KQZ vendosi të mos ndante mandatet, pasi kjo gjë nuk u votua me shumicë të cilësuar ” tha Lleshi.Ndërsa, nënkryetari Denar Biba theksoi se KQZ-ja është në gjendje të marrë një vendim për ndarjen e mandateve.“Nuk dyshuam në falsitetin e të dhënave të Ministrisë së Brendshme por donim verifikim, pasi hidhej dyshim mbi integritetin e votës.  Nuk erdhi informacioni që kërkuam nga Ministria e Brendshne, dhe KQZ nxitoi të votonte për mandatet. Nuk kemi dyshuar tek letra e MB, por të dhënat e dy akteve binin në kundërshtim me njëri-tjetrin. Në një moment të dytë ishim të gatshëm të votonim por nuk mund  të kalohet në një vendim tjetër, nëse i pari s'është kaluar parimisht.  KQZ-ja është në gjendje të marrë një vendim për ndarjen e mandateve” tha Biba.I menjëhershëm ka qënë reagimi i deputetit demokrat Edi Paloka i cili i është drejtuar nënkryetarit të KQZ-së me fjalët:Ku e gjeni të drejtën ligjore për të hetuar dyshimin?Por nënkryetari i KQZ-së ka theksuar se kodi i procedurës administrative thekson se një anëtar i një institucioni kolegjal ka të drejtë për të hetuar. “KQZ nuk funksionon vetëm në bazë të Kodit Zgjedhor” ka shtuar Biba.“Sipas Kodit,anëtarët e KQZ votojnë pro pse kundër, keni refuzuar me bindje të plotë duke shkelur ligjin” theksoi Paloka.Ndërkohë nënkryetari i KQZ-së Biba ka theksuar se do të kërkohet që sot të mblidhet Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve për të shqyrtuar ndarjen e mandateve."Tani e kemi informacionin e duhur për ndarjen e mandateve” shtoi Biba.Ndërkohë, kreu i komisionit të ligjeve Ilir Rusmajli theksoi se çështja e ndarjes së mandateve  tani është në Kuvend dhe ka nisur të shqyrtohet.