Nishani dënon heqjen e lapidarit në Preshevë dhe dhunimin e varreve serbe në Kosovë

Qëndrimeve të Tiranës zyrtare lidhur me aktin e heqjes së lapidarit të UÇMB-së në Luginën e Preshevës nga xhandarrmëria serbe i është bashkuar edhe zëri i Presidentit të Republikës Bujar Nishani. Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat Presidenti Nishani dënon me vendosmëri aktin e fundit provokativ të autoriteteve të Beogradit, të cilat zgjodhën gjuhën e forcës për të hequr përmendoren e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit.Nishani thekson se ndërsa autoritetet lokale dhe përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës po vepronin me maturi dhe në mënyrë institucionale për të gjetur një zgjidhje të pranueshme, Beogradi përdori forcat policore, duke dëshmuar se nuk është i çliruar ende nga mentaliteti dhe fobitë e së shkuarës dhe se kur bëhet fjalë për shqiptarët ai zbaton standarde të dyfishta.Presidenti Nishani vlerëson se veprime të tilla dëmtojnë rëndë situatën e brishtë në Luginën e Preshevës, stabilitetin në rajon dhe frymën e dialogut e mirëkuptimit, me vështrim nga e ardhmja, të cilën po përpiqemi të ndërtojmë me përpjekje dhe durim.Ndërkaq Presidenti i Republikës shpreh shqetësimin për veprimin e dhunshëm të dëmtimit të varrezave të komunitetit serb në Kosovë, i cili është në gjithashtu dhunim flagrant i traditës shqiptare dhe në kundërshtim të plotë me interesat legjitime të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe shqiptarëve në të gjithë rajonin.Nishani mbështet veprimin e mençur dhe institucional të autoriteteve lokale të Luginës së Preshevës dhe u bën thirrje qytetarëve të Kosovës dhe shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe kudo në rajon për maturi dhe të veprojnë në mënyrë demokratike, si e vetmja mënyrë për të denoncuar në sytë e opinionit publik të brendshëm dhe ndërkombëtar veprimet provokative të Beogradit dhe për të evituar rënien pre ndaj tyre.