Historia ime me “biznesmenin” Ansar

Duke kryer detyrën e këshilltarit të Kryeministrit Berisha për ekonominë dhe biznesin në vitet 2005-2009, puna më ka kërkuar të takoj dhe njihem me një mori rastesh, ku investitor, vendës a të huaj, të mëdhenj apo të vegjël, të kenë trokitur në zyrën e Kryeministrit për të prezantuar interesat e tyre për investime, për të kërkuar mbështetjen e qeverisë në realizimin e interesave të tyre. Një prej këtyre njohjeve është edhe me investitorin, që prej disa ditësh është bërë kryefjala e deklaratave publike të eksponentëve të lartë të Partisë Socialiste, që njihet si “afera Ansar”, investitori potencial pakistanez të cilit “nuk iu realizuan mundësitë për të investuar në dobi të popullit shqiptar shumën prej 100 milionë eurosh” (fjalitë në thonjëza janë referime të intervistës që z. Ansar i ka dhënë “Top Channel”).Njohja ime me këtë çështje fillon disa muaj përpara se z. Ansar të takohej me Kryeministrin Berisha me ndërmjetësimin e ambasadorit Bano. Ishte janari i vitit 2006 dhe kriza e thellë energjetike e vendit kishte zënë një vend të gjerë edhe në lajmet e mediave të huaja dhe kishte përcjellë sinjale të nevojave emergjente të Shqipërisë për investime në këtë sektor. Nuk kishte ditë që në adresë të Kryeministrit të mos vërshonin oferta nga më të ndryshmet, nga investitorë (por edhe nga pseudoinvestitorë) për të investuar në ndërtime të HEC-eve dhe TEC-eve, me naftë, gaz apo qymyr, dhe që kërkonin mbështetjen e qeverisë. Dhe rasti e solli që në një nga ato ditë të janarit 2006, një person që banon afër në lagjen time (nuk po e bëj emrin publik për shkaqe etike), më thotë se një miku i tij, konsull i nderit i Shqipërisë në Pakistan, kishte shprehur interesin për të investuar në vendin tonë deri në 500 milionë dollarë dhe që dëshironte të vinte për vizitë për të shpjeguar më hollësisht interesat e tij. I prita në zyrën time këto persona dhe më shprehën interes për këto fusha:1. Të merrnin koncesionin e rrugës Tiranë-Elbasan që sapo i ishte dhënë z. Ngjeqari. Pra, kërkonin që kjo e drejtë t’i hiqej një kompanie private që sapo i ishte dhënë dhe t’i kalohej këtij investitori, një çështje që i theksova se nuk mund të realizohej, pasi në një vend demokratik ligji duhej respektuar dhe nuk mund të hiqej një e drejtë e dhënë ndaj një subjekti privat, porse firma mund të negocionte dhe të bashkëpunonte me investitorët shqiptarë që e kishin këtë projekt.2. Z. Ansar kërkoi që qeveria shqiptare (Ministria e Financave) t’u jepte 40% të aksioneve që zotëronte në Bankën Arabe Islamike, me çmimin kontabël të vlerës së aksioneve. Sërish i sqarova se një gjë e tillë ishte e pamundur, pasi procesi i shitjes së aseteve shtetërore nuk mund të bëhej ndryshe veçse nëpërmjet një procedure të një gare të hapur edhe për investitorë të tjerë dhe çmimi nuk mund të ishte vlera kontabël, por ajo që rezultonte nga gara e hapur ndërkombëtare.3. Projekti i tretë ishte ai i ndërtimit të një TEC-i me kapacitet mbi 100 MGW për të diversifikuar burimet e furnizimit me energji të vendit. Projektet për ndërtime TEC-esh kishin qenë prej kohësh në vëmendjen e shumë firmave, përfshirë dhe gjigantin italian të energjisë, ENEL, i cili kishte paraqitur një projekt për ndërtim TEC-i me qymyr mbi 400 MGW në Porto Romano. I shpjegova z. Ansar procedurën ligjore që duhej ndjekur në këtë rast dhe që kalonte, si hap i parë dhe kryesori, negociatat me KESH-in për lidhjen e marrëveshjes afatgjatë të blerjes së energjisë së prodhuar dhe çmimin e blerjes, një çështje që në atë periudhë ishte ende në diskutim dhe që vazhdon të mbetet çështja më e rëndësishme edhe sot e kësaj dite. Në takim i theksova se nuk është çështja themelore ajo e prodhimit të energjisë, por çmimi me të cilin ajo prodhohet, për më tepër që praktikat subvencionuese edhe në vendet e BE-së lidhen me energjinë e rinovueshme, e jo me energjinë që gjenerohet nga burime me pasoja ndotëse në mjedis, siç është qymyri. Duke pasur parasysh edhe dinamikat e çmimit të naftës në këto kohë, ku nga 24$/barela që kishte qenë çmimi në fillimet e vitit 2005, e kishte tejkaluar edhe kufirin e 80$/barela, dhe kur edhe vetë investimi që KESH po kryente në TEC-in e Vlorës po ngjallte një debat të madh lidhur me leverdishmërinë e këtij investimi, është e kuptueshme që skepticizmi i qeverisë lidhur me këto investime të ishte i lartë. Sidoqoftë, i nënvizova investitorit procedurën që duhej të ndiqte, standardet ligjore mbi ndotjen dhe respektimin e teknologjisë së kërkesave të ligjit mbi mbrojtjen e mjedisit dhe rrugën normale që ndjek ndërtimi i një vepre industriale, me lejet e ndërtimit etj.Përshtypja ime ka qenë se, duke kuptuar kompleksitetin, hezitimet dhe pasiguritë tona në negocimin e kontratës së energjisë të prodhuar nga TEC-et, për shkak të pasigurive që na krijonte çmimi i lëndëve të para dhe i produktit final, kishte bërë që investitorët që kishin shprehur interesa deri atëherë të ishin dekurajuar, siç u tërhoqën edhe ENEL-i dhe dhjetëra raste te tjera, ndërkohë që z. Ansar ndoqi një tjetër taktikë, ndoshta edhe sepse vetë vjen nga një vend me standarde të tjera nga ato që ndjekin vendet e zhvilluara e demokratike.Në vazhdim të përpjekjeve të tij, rastësia e paskërka takuar me ambasadorin tonë në botën arabe, z. Banaj. Parantezë: çdo ambasador i çfarëdo vendi, të vogël a të madh, të pasur apo të varfër, nuk mund të ketë prioritet në axhendën e punës së tij veçse promovimin e interesave ekonomikë të vendit të vet, tërheqjen e investimeve të huaja dhe investitorëve të huaj. Kështu që kjo histori e z. Ansar vazhdon me një takim tjetër që është zhvilluar në zyrën e Kryeministrit, me praninë e këshilltarit të tij (unë) dhe ambasadorit tonë, Banaj. Natyra e takimeve që zhvillohen në zyrën e Kryeministrit është kryesisht e nivelit të kortezisë, veçanërisht kur bëhet fjalë për investitorë që janë në fazën e idesë, dhe, Kryeministri në çdo rast shpreh mbështetjen që qeveria shqiptare u jep investitorëve të huaj dhe mbështetjen e tij për të ndërhyrë sa herë që investitorët ndeshen me barriera administrative. Të njëjtën gjë i ka shprehur edhe z. Ansar në takimin që kemi zhvilluar, gjë që e pohon edhe vetë z. Ansar në intervistën e vet dhënë TCH. Por çfarë ndodh më tej?Duke e kuptuar se çështja kritike ishte negociata me KESH për marrëveshjen afatgjatë të blerjes së energjisë, dhe duke e ditur se kjo është pika që ende nuk ka ndonjë zgjidhje definitive nga autoritetet shqiptare dhe besoj edhe shkaku kryesor se përse investitorët e tjerë të interesuar e dinin mirë se kjo çështje nuk do të kishte ndonjë favorizim për ta, z. Ansar ndjek një taktikë që përgjithësisht është tipike për ata që vijnë nga vende ku korrupsioni blen gjithçka dhe zgjidh çdo pengesë. Duke kërkuar shërbimet e studios ligjore të znj. Malltezi, investitori ka menduar se mund t’i zgjidhë këto probleme me lehtësi, pasi ajo është vajza e Kryeministrit (megjithëse, ajo nuk i kishte lënë të kuptohej se mund të kishte ndonjë lehtësi speciale, por këtë investitori e kishte nënkuptuar, apo marrë vetë me mend një gjë të tillë – sipas deklarimit që ai vetë bën në intervistën dhënë për TCH).Ky rast ngre një sërë pyetjesh, që gjithkush mund t’i bëjë vetes.Së pari, detyra e Kryeministrit është ngushtësisht e lidhur me promovimin e interesave të vendit para investitorëve të huaj dhe nuk besoj se ka Kryeministër në çfarëdo vend që të mos pranojë të takohet me biznesmenë, vendës apo të huaj. Unë jam dëshmitar i lehtësisë maksimale që gjithkush që më ka kërkuar t’i organizoj një takim me Kryeministrin për të shprehur interesat për investime, kjo mundësi i është ofruar në rastin më të shpejtë dhe pa asnjë vështirësi. A mund të komprometohet pritja që Kryeministri i bën një investitori dhe të keqpërdoret prej tyre, cilido qoftë rezultati final i një ideje për investime? A mund të shërbejë një eksperiencë e pasuksesshme e një investitori që ndodhet në fazën e shitjes së idesë, pavarësisht seriozitetit të tij apo të vetë idesë, si një “casus belli” për të ngritur një “alibi” qoftë për moralin e politikës në tërësi apo të karakterizimit të klimës së biznesit një vend?Së dyti, a ishte znj.Malltezi që po i bënte presion këtij investitori apo ishte vetë investitori që po synonte të “korruptonte” procedurat ligjore, duke besuar se duke ndërmjetësuar me vajzën e Kryeministrit do të mund të realizonte atë që të tjerët nuk e kishin arritur dot?Së treti, po të supozojmë se z.Ansar do ia kishte dalë me sukses, që duke përdorur shërbimet e privilegjuara të znj. Malltezi të kishte investuar 100 milionë dollarë dhe të kishte ndërtuar një TEC në vendin tonë. Askush nuk do të kishte dëgjuar për këtë histori të një “investitori të irrituar”. Por pyetja që shtrohet, është se a do të kishte qenë kjo një gjë e mirë për interesin publik? Fakti që asnjë investitori tjetër nuk i është akorduar një mundësi e tillë (pra, nuk është se kjo mundësi iu refuzua vetëm z. Ansar), dëshmon se prodhimi i energjisë nga TEC-e duhet dekurajuar, ashtu siç në fakt ka ndodhur në çdo vend të botës dhe siç po ndodh edhe në Shqipëri.Së katërti, kur një investitor e mëson rrugën ligjore dhe procedurën se si kryhet një investim, e megjithatë ai përpiqet të blejë shërbimet (edhe pse më pas thotë se janë shumë të shtrenjta!) nga persona me influenca politike (në rastin konkret nën akuzë është e bija e Kryeministrit, por gjithkush tjetër mund të ishte pjesë e këtij sulmi), në mënyrë që ose të anashkalojë ligjin dhe procedurat, apo të kërkojë në këtë mënyrë një favor që nuk u jepet të tjerëve, a është ky një investitor që i duhet një vendi? A është, pra, politika që korrupton biznesin apo biznesi që e korrupton politikën? Deri tani, z. Ansar ka thënë versionin e tij, por ky version që po rrëfej sot është dëshmia ime e gjallë dhe për të cilën jam i gatshëm të ballafaqohem me të në çdo rrethanë.Burimi: panorama.com.al