Drejtësi e vonuar për 21 janarin? Kadilli: Drejtësia ka qenë nën presion të opozitës
Ndërsa sot u shënuan 2 vjet nga ngjarjet e 21 janarit 2011, ngjarje të cilat u mbyllën me një bilanc tragjik, humbjen e katër jetëve, drejtësia ende se ka thënë fjalën e saj lidhur me përgjegjësit. Fatbadh Kadilli, deputet i PD në Kuvend për RTV Ora News do ta argumentonte këtë fakt me një presion të vazhdueshëm të opozitës ndaj organit të akuzës, duke sjellë në vëmendje edhe thirrjet e 2 viteve më parë të liderit të opozitës Edi Rama në drejtim të Prokurorisë për ndërmarrjen e arrestimeve në radhët e gardistëve. Sakaq duke iu referuar deklaratës së sotme të Ramës, ai tha se lideri i selisë rozë vazhdon të reflektojë një mendësi të keqe, por sipas tij edhe nëse ai vjen në pushtet nuk e bën dot drejtësinë, pasi drejtësia dhe pse është shtyllë e pushtetit, mbetet e pavarur prej tij.“Termin regjim e përdor vetëm Rama, nuk është aspak korrekte, Shqipëria është një vend me demokraci pavarësisht deficencave të saj. Nëse ai e konsideron regjim atëherë ai qenka për një regjim tjetër. Ajo periudhë ka marrë fund njëherë e mirë, nëse Shqipëria është një vend me deficenca është me deficennca të tilla të opozitës. Edhe nëse ai vjen në pushtet nuk e bën ai drejtësinë, ajo është një shtyllë e pushtetit, por e pavarur nga shteti.Kjo tregon mendësinë e keqe. Drejtësia ka qenë e vendosur në një presion shumë të madh nga sjellja e opozitës. Menjëherë pas kësaj ngjarje 2 vjet më parë në mesnatë i ka dhënë urdhër Prokurorisë të bëjë arrestime. 21 janari ka një shkak themelor, provokimi i qëllimtë, i paramenduar për të realizuar skenarë dhune për përmbysje pushteti.Prandaj smund të injorojmë në asnjë rast atë që ndodhi në 21 janar” tha ai.Deputeti demokrat do të vlerësonte negativisht edhe tentativën e numrit një të PS për kapitalizim të katër jetëve të humbura, duke mos e konsideruar korrekte dhe aspak të denjë për PS. Ndërsa lidhur me komisionin parlamentar për hetimin e 21 janarit, Kadilli tha se mazhoranca nuk ka hequr dorë prej tij, por në mënyrë diskrete është munduar të mos bëjë publike rezultatatet e tij për të shmangur cdo lloj presioni të mundshëm ndaj organit të akuzës.“Data 21 janar ka shumë ngjarje të rëndësishme për Shqipërinë, 93 vjet më parë kishim Kongresin e Lushnjës, që ishte hapi i parë për konsolidimin e shtetit shqiptar dhe 21 janarin e dy viteve më parë për shtetshkatërrimin. Sa i përket zotit. Rama sesi synon të kapitalizojë humbjen e katër jetëve, sivjet homazhet kanë qenë më të qeta, vjet u bë më spektakël abusiv edhe për vetë dhimbjen e familjarëve. Një gjë e tillë nuk e nderon PS, ata nuk do të shohin një vrasje ndërgjegjeje. Por ka një borxh shumë të madh vetë ai që i hodhi në sulm, shumë më shumë se kushdo tjetër. Pë 21 janarin është krijuar një Komision, ka një target të ndryshëm nga ai i Prokurorisë, ka pasur për qëllim të hetojë veprimin e institucioneve të shtetit, të cilat kanë pasur për detyrë të jenë mbrojtës të institucioneve. Mazhoranca nuk ka hequr dorë, por në mënyrë diskrete është munduar të mos bëjë prezente rezultatatet për të mos e vënë Prokurorinë nën presion” theksoi Kadilli.Për t’iu rikthyer zhvillimeve të sotme në seancën plenare, Kadilli e cilësoi votën e LSI kundër dekretit të Presidentit për ILDKP-në një qëndrim tipik të kësaj partie dhe aspak qëndrim politik.“Besoj se nuk duhet konsideruar qëndrim politik, pasi vota ishte e ndarë, 1 pro dhe 3 kundër. Kjo sështë hera e parë që deputetët e LSI votojnë në një mënyrë më të pavarur, më individuale, kryesisht kur bëhet fjalë për emra. Kjo i shërben ruajtjes së identitetit të saj si parti. Do ta quaja një qëndrim tipik të LSI në këto katër vjet” deklaroi ai.I pyetur nëse LSI mbetet partner për një koalicion parazgjedhor me PD, Kadilli tha:“Nuk jam pjesë e ekipit politik që merret me koalicionformimin. Ka një marrëveshje me LSI për qeverisje. Për herë të parë patëm një koalicion jo thjesht përfaqësimi, por kalicion real dhe mbi të gjitha nuk është cështje numrash, por cështje esence. Është fat për këto 2 parti që kanë realizuar hapa të rëndësihëm në këtë proces integrues dhe kanë me cfarë të prezantohen përpara elektoratit të tyre. Ne si PD kemi respektuar identitetet dhe marrëveshjet, në kuptimin e përmbajtjes s’ka arsye për të mos qenë bashkë, por në fund të fundit secila parti bën llogaritë e saj. Megjithatë kam bindjen se në këto zgjedhje do të kemi një koalicion shumë më të madh nga ky që kemi, sepse kemi treguar se dimë të bëjmë dhe respektojmë marrëveshje, ndryshe nga kampi tjetër” përfundoi deputeti Kadilli.