Rama: Krimi dhe siguria më keq se në 97-ën

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka deklaruar sot se krimi ka marrë rrugët ndërsa 72 përqind e qytetarëve mendojnë se gjendja e sigurisë në vend është shumë  e keqe.Në një konferencë për shtyp, kryesocialisti Rama theksoi se struktura e policisë është e fryrë dhe e paaftë.Sipas tij, lufta e policisë me krimin sot është si një ndeshje futbolli e cila është shitur që në fillim nga pronari i skuadrës."Krimi ka marrë rrugët dhe 72 përqind e shqiptarëve  mendojnë që gjendja aktuale është e keqe dhe shumë e keqe. Kjo është shifra më e lartë në të gjithë historinë e këtij trazicioni pas 1997-ës. Policia është e tradhëtuar, e abuzuar, e rrënuar.  Raporti profesionalizëm klientelizëm partiak është përmbysur kokëposhtë dhe këto janë rezultatet, struktura e drejtimit është e fryrë dhe e pakuptimtë, kupola e inkriminuar dhe e paaftë, ministri i Brendshëm është partiak i rëndomte i llojit më të keq, papagallon Berishën sa herë nxjerr kokën në ekran dhe merret vetëm me vendosje njerëzish në funksion të zgjedhjeve. Po vendosen kudo njerëz që do të marrin rrogën e shtetit për të ndihmuar mbajtjen e pushtetit. Policët e thjeshtë ndihen të demotivuar ndërsa komisarët janë të revoltuar pasi shohin shokët e tyre të vriten" theksoi Rama.Ai deklaroi më tej se në 2012 u evidentuan 20 688 krime, pra 12 438 krime më shumë se koha që PD erdhi në pushtet.“Sot që rrugët janë më jashtë kontrolli se asnjëherë ka tre struktura pa koordinim që merren me policinë rrugore, pa folur për uniformat ato ngjallin keqardhje. Vit pas viti kemi mesatare rritjeje 1500 krime, vetëm 2012 evidentoi 3029 vepra penale më shumë, dhe  ky rekordi negativ i 15 viteve të fundit. Sot jemi me keq se asnjë herë tjetër pas 97-ës, qytetari është më i pasigurtë se asnjëherë tjetër, policia sot e ka gjendjen jashtë kontrollit” tha ai.Kreu i PS-së premtoi se gjatë 300 ditëve të para kur PS-ja të vijë në pushtet do të bëjë të mundur që policia e shtetit të kthehet në një model për qytetarët."Premtoj solemisht se në 300 ditët kur PS-ja do të jetë në pushtet qytetarët do të shohin një polici shteti që nuk e kanë parë asnjëherë.  Në rrugën tonë të Rilindjes qytetarët do të kenë provat e qarta të vënies së Policisë së Shtetit në shërbimin e tyre si garanci për sigurinë e tyre dhe vendi provën kuptimplotë se nëse loja nuk shitet në kupolën e ministrisë së Brendshme, skuadra e Policisë së Shtetit fiton në çdo ndeshje me krimin dhe kriminelët” tha Rama.