Rrëshqitjet në Japoni, 42 të vdekur, 43 të humbur
Japoni - Ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet e dëshpëruara për gjetjen e të mbijetuarve në Hiroshima, pas rreshqitjeve masive të dherave. Sipas autoriteteve deri tani 42 persona kanë humbur jetën dhe të pakten 43 të tjerë rezultojnë të humbur.Rreth 3,000 persona , pjesë e personelit të shpëtimi, po kerkojnë në rrënojat e ndërtesave të shembura, mes baltës dhe mbetjeve për gjurmë njerëzish. Sipas ekspertëve, shanset për të gjetur persona të gjallë tashmë janë të pakta, pasi kanë kaluar më shumë se 72 orë dhe normalisht kjo çon në idenë se një person nuk mund të jetojë kaq gjatë pa ujë dhe ushqim.Të premten u pezulluan operacionet e shpëtimit, pasi shirat e medhenjë e bënë të pamundur kërkimin e të mbijetuarve apo trupave. 100.000 persona janë evakuar nga zona, pas panikut se moti i keq mund të sjellë rrëshqitje të tjera të dherave.Sipas agjensisë së motit në Japoni, rreshqitjet e tokës kanë ndodhur si pasojë e shirave të mëdhenjë që kanë rënë për më shumë se një muaj në 24 orë rresht. Shumë shtëpi janë shkatërruar totalisht nga renia e shkëmbinjve dhe gurëve.Mes personave të vdekur është edhe anëtari i një skuadre shpëtimi, që vdiq kur një rrëshqitje e dytë toke u verifikua, pasi ai u kishte ardhur në ndihmë disa banorëve. Ngjarja ndodhi teksa ai po përpiqej të shpëtonte një fëmijë të vogël dhe babain e tij, të cilët u përfshinë gjithashtu nga rrëshqitja e dytë e baltës.Pjesa më e madhe e Japonisë qendrore dhe jugore është në reliev malor, për këtë shumë shtëpi janë ndërtuar në shpate të thepisura. Vitin e kaluar, një tajfun i fuqishëm shkaktoi rrëshqitje të tokës në ishullin Izu Oshima, ne jug të Tokios, si pasojë e të cilave 35 persona humbën jetën.
(Në foto: Ekipi i shpëtimit gjatë kërkimit për gjurmë njerëzish, në rrënojat e shtëpive të shembura)Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tv në Facebook dhe në Twitter