Autokolona ruse mbetet në kufi

Dhjetëra kamionë dhe tanke ruse janë pikasur teksa udhëtojnë drejt kufirit lindor me Ukrainën, teksa një konvojë me ndihma humanitare ka ndaluar prej orësh pranë këtij kufiri. Tanket, sipas rrjetit britanik BBC, janë parë mëngjesin e kësaj të premteje por nga asnjë autoritet nuk ka konfirmuar faktin se për ku janë drejtuar ato.Ndërsa sipas disa mediave, në Ukrainë janë parë të hyjnë edhe automjete të ushtrisë ruse. Ndërkohë vazhdon të qëndrojë pranë kufirit me Ukrainën një autokolonë me ndihma humanitare, në pritje të dhënies së lejes nga ana e autoriteteve ukrainase. Zyrtarë të Kryqit të Kuq gjenden në kryeqytetin ukrainas, Kiev, për bisedime në lidhje me kontrollin që duhet të kryejnë për këto ndihma.Ukraina, e cila i frikësohet faktit se këto makina mund të përmbajnë në brendësi të tyre, të fshehura mes ushqimeve, armatime për rebelët, ka kërcënuar se do t’i bllokojë nëse këta të fundit nuk pranojnë të kontrollohen në kufi. Nga qeveria ruse, prej ditësh lajmet se autokolonat mund të përmbajnë armatime, janë mohuar.Autokolona ruse me 260 kamionë me ndihma humanitare, udhëtoi të enjten për 9 orë rresht derisa ndaloi në kufi, ku ende po qëndrojnë, duke përhapur gjithnjë e më shumë frikë dhe panik në këtë zonë të vendit.Andriy Lysenko, një zëdhënës i Këshillit të Mbrojtjes së Ukrainës tha se "nëse autokolona do të kalojë kufirin, Ukraina do të përdorë të gjithë forcën e saj për ta bllokuar atë". Ndërsa zëdhënësja e Kryqit të Kuq, Anastasia Isyuk, konfirmoi faktin se autokolona po qëndron prej orësh në kufi, ndërsa përfaqësues të Kryqit të kuq janë në kontakt me to por ende nuk kanë arritur një marrëveshje për kontroll.Edhe një herë SHBA-të kanë paralajmëruar Rusinë. Zëdhënësja e departamentit të shtetit, Marie Harf tha: "Ne ja kemi bërë të qartë Rusisë se ata nuk duheti t’i kalojnë kamionët përtej kufirit, pa miratimit e qeverisë ukrainase".Ndërkohë luftimet në lindje të vendit, kryesisht në Donjetsk dhe Luhansk ende vijojnë, me bombardime të rënda. Që nga fillimi i konfliktit në muajin prill, 2086 persona kanë humbur jetën.