Irak, OKB: Kriza humanitare në nivelin më të lartë - SHBA hedh sërish ndihma
OKB-ja ka deklaruar nivelin më të lartë dhe të jashtëzakonshëm të krizës humanitare në Irak, teksa militantët e Shtetit Islamik po përparojnë me shpejtësi në veri të vendit. Zyrtarët kurdë kanë deklaruar se situata në qytetin Dohuk, ku strehohen 150 000 refugjatë, tashmë është kritike.Përfaqësuesi i posaçëm i OKB-së, Nickolay Mladenov ka bërë thirrje për ndihma të tjera për të gjithë personat e zhvendosur në malin Sinjar dhe në vende të tjera të Irakut. Ai tha se gjendja e refugjatëve mbetet kritike. Por Shtetet e Bashkuara kanë bërë të ditur se nuk ka gjasa që të nisin një mision për të evakuar irakianët e bllokuar nga luftëtarët islamikë në malin Sinjar.Një ekip i forcave speciale amerikane fluturoi drejt malit dhe ka pikasur në fakt më pak njerëz nga sa pritej dhe sipas Pentagonit ishin në gjendje të mirë, të paktën në gjendje më të mirë nga sa pritej. Zyrtarët amerikanë thanë se operacioni u zhvillua gjatë ditës së mërkurë dhe i gjithë personeli ishte kthyer në bazën e tij në Irbil.Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dërguan qindra këshilltarë ushtarakë për t'i ardhur në ndihmë njerëzve që janë larguar nga banesat e tyre pas kërcënimeve nga grupi militant ISIS. Militantët kanë marrë nën kontroll sipërfaqe të shumta në veri të Irakut si edhe në Siri gjatë muajit të fundit.Me mijëra njerëz nga pakicat fetare janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre. Mes njerëzve që kanë mbetur të bllokuar në malin Sinjar, janë edhe dhjetëra anëtarë të sektit Jazidi. Një ditë më parë, OKB-ja e shpalli krizën në Irak në nivelin 3 të emergjencës, niveli më i lartë ky i një krize humanitare.Për disa netë me rradhë, SHBA-të, përmes ajrit, kanë lëshuar mbi malin Sinjar, ndihma të shumta humanitare, kryesisht ushqim dhe ujë të pijshëm. Franca nga ana e saj do të vazhdojë të ndihmojë me armatime kurdët në Irak ndërsa Britania e Madhe është angazhuar në terren me një mision shpëtimi për të zhvendosur qindra e mijëra civilë të pafajshëm, të ngecur në mes të luftimeve. Që nga fillimi i kësaj krize, 1.2 milionë irakianë kanë braktisur shtëpitë.Oranews.tv