Meta pret homologun japonez: Intensifim të marrëdhënieve ekonomike
Tiranë- Vizita e homologut të tij nga Japonia, Bunmei Ibuki, ka sjellë në Kuvend Ilir Metën dhe pse nuk ka nisur ende sesioni i ri parlamentar. Pasditen e sotme , Meta priti në një takim në kryesinë e Kuvendit një grup parlamentarësh të Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit të Japonisë.Në konferencën e përbashkët për mediat, kryetari i Kuvendit Meta, tha se kjo vizitë hap një kapitull të ri në marrëdhëniet ndërparlamentare Shqipëri-Japoni.“Vizita e sotme është provë e qartë e vëmendjes që Japonia i kushton vendit tonë. Vlerësuam marrëdhëniet shumë të mira dhe ndamë bindjen se duam të forcohen edhe më tej që në aspektin politik ashtu dhe në atë tregëtar, ekonomik, në fushën e arsimit dhe shkencës dhe gjitha drejtimet e tjera. Ne vlerësojmë shumë mbështetjen e vyer të Japonisë përgjatë 23 viteve të fundit në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit dhe konsolidimit të demokracisë dhe shtetit ligjor. Jemi të bindur Shqipëria ka ende shumë çfarë të mësojë nga ekspertiza dhe eksperienca japoneze dhe ne këtë drejtim vullneti ynë është ta çojmë sa më tej bashkëpunimin dypalësh në një nivel më të lartë. Me këtë vizitë marrëdhëniet ndërparlamentare hynë në një fazë të re, ndaj Kuyvendi ka krijuar grupin e miqësisë nën drejtimin e deputetes Vasilika Hysi”.Meta vlerësoi gjithashtu mbështetjen dhe asistencën që Japonia ka dhënë edhe në aspektin ekonomik, ndërsa shprehu vullnetin për të pritur sa më shumë investitorë japonezë.“Në aspektin ekonomik ne vlerësojmë asistencën dhe mbështetjen japoneze. Kemi shprehur vullnetin për të pritur një rritje të investimeve japoneze, jo vetëm në vendin tonë por dhe gjithë rajoni. Një falenderim të veçantë kam dhe për mbështjen që Japonia i ka bërë Kosovës.E sigurova kolegun për angazhimin e pandërprerë të Shqipërisë për të forcuar marrëdhëniet e fqinjësisë në rajonin tonë. Shqipëria dhe Japonia janë dy vende dhe popuj mik dhe jam i sigurt se kjo vizitë hapi një faqe të re të dinamikës të bashkëpunimit të marrëdhëneive shumë të mira midis dy vendeve tona”.Nga ana e tij, Kreu i Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit të Japonisë vlerësoi progresin e vendit tonë, duke mos e fshehur habinë që reforma dhe zhvillime të rëndësishme në vend kanë kaluar përmes proceseve të paqta, gjë që sipas tij nuk ndodh kudo. Bunmei Ibuki vlerësoi gjithashtu rolin që shqiptarët kanë për stabilitetin dhe paqen në rajon.“Sapo përfunduam një takim shumë të frytshëm.Dua të flas për dy momente shumë të rëndësishme. Përpara se të vinim këtu shkuam në një vizitë në QSUT, i cili është rikonstruktuar me fonde të taksapaguesve japonezë dhe pamë mjekë dhe infermierë shumë të dedikuar dhe që punonin aty. Gjëja e dytë që më ka prekur shumë në Shqipëri është procesi demokratik i vendit, zakonsiht transformime shumë të rëndësishme në vende të tjera shoqërohen me dhunë, ndërsa këtu këto procese shumë të rëndësishme kanë qenë të paqme. Një ndër temat që mu bë me dije gjatë takimit ishte dhe fakti që shqiptarët nuk janë të kufizuar vetëm në kufinjtë brenda Shqipërisë, por të shumtë në numër dhe në vendet e tjera në rajon. Roli i shqiptarëve në rajon është shumë i rëndësishmë për paqen dhe stabilitetin në të ardhmen. Për të bërë të mundur këtë ndikim konstruktiv të shqiptarëve ne do të përpiqemi që të instensifikojmë jo vetëm bashkëpunimin politik, por të rrisim dhe nivelin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve” tha ai duke e përfunduar deklaratën me një Faleminderit! në gjuhën shqipe.Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tv në Facebook dhe në Twitter