Busek:Zgjerimi i hartës së vendeve të BE, i pandalshëm

Zgjerimi i hartës së vendeve të BE është i pandalshëm. Kështu është shprehur Presidenti i Institutit për Rajonin e Danubit dhe të Evropës Qëndrore, Erhard Busek gjatë një aktiviteti të organziaur për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe marrëdhënieve mes vendit tonë dhe Austrisë. Busek deklaroi se perspektiva europiane e Shqipërisë është e qartë tashmë.“Perspektiva europiane e Shqipërisë dhe vendeve aspirante është e qartë. Zgjerimi europian nuk do të ndalet pavarësisht vështirësive që po kalon unioni për shkak të krizës ekonomike. Kujtoj këtu se vendimi për zgjerimin që prej samitit të Selanikut vazhdon të mbajë të hapura dyert e unionit” tha Busek.I pranishëm në këtë panel kreu i shtetit shqiptar Bujar Nishani siguroi se vendi është i angazhuar për përmbushjen e reformave të kërkuara nga BE-ja. Presidentu Nishani vlerësoi rolin e rëndësishëm që Austria luan për zgjerimin e Bashkimit Evropian në rajonin e Ballkanit."Shqiptarët janë treguar të gatshëm që me bindje të paguajnë çmimin e sakrificave për reformat që janë kërkuar për një të ardhme europiane. Në këtë proces Shqipëria ka pasur mbështetjen e Austrisë, mikut të saj historik dhe tradicional. Austria nuk mungoi të na gjendej pranë as në momentet më të vështira. Ndihma ekonomike dhe investimet në sektorë të rëndësishëm si në tregun financiar, industrinë e naftës, në energjikë, në fushën e sigurisë të cilët janë faktorë të rëndësishëm për zhvillimin e vendit dhe për ne këtë jemi mirënjohës komit dhe shtetit austriak” tha Nishani.Në kuadër të festimeve për 100 vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar, organizatorët e ditëve "Shqipëria dhe Austria, 100 vite së bashku, 16-19 tetor 2012" , kanë planifikuar një seri aktivitetesh për të sjellë së bashku personalitete të botës politike, financiare, akademike dhe shoqërore të dy vendeve tona.