Gjykata e Tiranës: Greva e ish të burgosurve e paligjshme

Gjykata e Tiranës ka shpallur si të paligjshme grevën e urisë së ish të përndjekurve politik duke kërkuar edhe shpërndarjen e saj.Vendimi është marrë pas padisë që policia e Tiranës ka depozituar në këtë gjykatë ku kërkonte ndërprerjen e grevës së urisë së ish të burgosurve politik.Në një prononcim për mediat, ish të përndjekurit politik e kanë cilësuar si të turpshëm vendimin e gjykatës së Tiranës ndërsa janë shprehur të vendosur se do të vijojnë grevën e urisë.“Turp të kenë ata gjyqtarë që kanë marrë këto vendime. Ne nuk dalim prej këtu. Vetëm të vdekur mund të na nxjerrin. Nëse nuk do të digjemi këtu do të shkojmë të digjemi përpara parlamentit” kanë theksuar ish të përndjekurit.Ndërsa ish i përndekuri politik Fatmir Lamaj ka theksuar se greva do të zhvendoset në një vend tjetër por nuk do të ndërpritet.Ai e ka cilësuar të gabuar vendimin e gjykatës, duke hedhur akuza se në Shqipëri nuk ekzistojnë më institucionet e pavarura. “Në një vend ku nuk zbatohet ligji, demokracia ka vdekur” tha Lamaj.Ndërkohë më pas Lamaj është larguar me ambulancë nga vendi i grevës së urisë ndërkohë që ende nuk dihet nëse grevistët do të largohen nga vendi i grevës pas vendimit të gjykatës.Ish-të përndjekurit politikë janë në grevë urie prej 26 ditësh dhe kërkojnë t`u plotësohen 8 kërkesa ku më kryesorja është dëmshpërblimi për vitet e burgut.