"21 janari", Gjykata shtyn për në 24 tetor seancën

Shtyhet seanca për gjyqin e 21 janarit. Mungesa e avokatit të gardistit Agim Llupo ka detyruar trupin gjykues që të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 24 tetor.Ndërkohë që gardisti Agim Llupo gjatë deklaratës së tij ka theksuar se në 21 janar ai ka zbatuar ligjin dhe ka qëlluar vetëm në ajër. Llupo akuzoi prokurorinë se nuk ka marrë asnjë dëshmi prej tij që në momentin që është  arrestuar.Prokurori Blerim Tominaj ndërkohë lexoi deklaratat e tre dëshmitarëve për këtë ngjarje të cilët nuk kanë qenë të pranishëm pasi ndodheshin jashtë shtetit. Dritan Pepaj i cili ka qenë i shoqëruar me Aleks Nikën një prej viktimave të demostaratës ka deklaruar se nuk ka parë se nga kanë ardhur të shtënat.Të njëjtin version ka dhënë edhe Anton Deda. Në deklaratën e lexuar prej prokurorit ai thekson se nuk ka parë nga kanë ardhur plumbat  që kanë qëlluar Aleks Nikën.Agim Llupo është i vetmi person i cili ndodhet i burgosur për ngjarjen 21 janarit. Në këtë proces janë të pandehur edhe ish-kreu i Gardës Ndrea Prendi, i cili akuzohet për vrasjen e demonstruesit Faik Myrtaj, si dhe Margarit Kume, shoferi i ish-shefit të Gardës Ndrea Prendi i cili akuzohet për veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës.