Telenovela Inter-Roma, merr fund këtë fundjavë

Inter-Roma, një telenovelë e gjatë që pritet të nisë këtë fundjavë dhe do të përfundojë pas tre serive ku pritet të mësohen shumë të vërteta rreth objektivave të së ardhmes. Dy skuadrat që pak vjet më parë ishin të vetmet e futbollit italian në luftën për titull, hapin një kapitull të ri që do të zgjasë plot 270 minuta por ndoshta edhe më shumë.Roma i ka shkëputur kontaktet me kreun dhe një fitore pas dy disfatave rresht do të qetësonte ambientin në Trigoria, i ngarkuar së tepërmi edhe nga çështja De Rossi, ndërsa Inter nga ana tjetër kërkon konfirmimin dhe rikthimin në garën për titullin kampion, sepse Juventusi është vetëm 7 ndalesa larg dhe asgjë nuk është e pamundur.Zeman rigjen në këtë sfidë kapitenin Totti, por mbeten në dyshim Pjaniç e Balzaretti, të dëmtuar në sfidën e Kupës në mesjavë. Ndërkohë, Stramaccioni ka 5 ditë kohë për të përgatitur dy sfidat e Olimpicos ku do të gjejë dashurinë e tifozëve verdhekuq si një ish që asnjëherë nuk e ka mohuar lidhjen shpirterore me skuadrën magjike. Por nëse kampionati lejon edhe rrëshkitje të momentit për secilën nga skuadrat, gjysmefinalja e Kupës kërkon më shumë përqëndrim sepse janë vetëm dy ndeshje dhe një hap fals do të prishte rrugën që i ka transportuar deri në këtë fazë. Përballjet e së shkuarës rezultojnë 188 mes dy klubeve, përfshirë edhe finalen e Kupës UEFA në vitin 1991.Faza më e nxehtë e aktivitetit mes Romës dhe Interit rezulton të jetë ajo mes viteve 2006-2010, kur Calciopoli "pastroi" Milanin e Juventusin nga qarkullimi, duke i lënë dorë të lirë Interit që gjeti në rrugën drejt titujve një Romë spektakolare të formatuar në futbollin total nga Luciano Spalleti.Gjithsesi, ky duel nuk pati histori, sepse zikaltërit fituan gjithçka u doli përpara, duke triumfuar edhe tre herë në Kupën e Italisë. Dhe meqë jemi te Kupa, nuk mund të harrohet ai duel i vitit 2005 kur Interi hipotekoi trofeun duke triumfuar në "Olimpico" me një dopietë të Adrianos, ndërsa takimi i kthimit u vendos nga një goditje e telekomanduar e Mihajloviç.Saga e gjatë e dualizmit mes dy skuadrave përfundoi në vitin 2010 kur Totti humbi Kupën dhe kontrollin me atë gjest të shëmtuar ndaj një djaloshi të ri nga i cili ishin drejtuar sytë e futbollit botëror, i quajtur Mario Balotelli.