Xhamia e re, Berisha: Masa që punimet të nisin në mars
Kryeministri Sali Berisha ka garantuar sot kreun e Komunitetit Musliman, Haxhi Selim Muça për mbështetjen e plotë të qeverisë që punimet për xhaminë e re të fillojnë në muajin mars.Gjatë takimit me kryetarin e Komunitetit Musliman Selim Muça, kryeministri Berisha u njoh për avancimin e procedurave për ndërtimin e xhamisë së madhe të Tiranës, si dhe për problemet që dalin për realizimin e saj.Kryeministri shprehu kënaqësinë që ka filluar puna e projektimit të kësaj xhamie, që do të ngrihet në vendin tradicional dhe historik të Namazgjasë."Ajo jo do të jetë xhamia e të gjithë shqiptarëve dhe një monument i shkëlqyer i arkitekturës islame, që do të mishërojë edhe traditën e gjatë dhe origjinale të xhamive shqiptare. Duhet të kujtoj me këtë rast se hapja e xhamisë së Ethem Beut në Tiranë për shërbimet fetare ka qenë një nga veprimet e para të Partisë Demokratike," - u shpreh Kryeministri.Ndërsa,Kryetari i Bashkisë së Tiranës, zoti Lulzim Basha, e garantoi zotin Haxhi Selim Muça për përfundimin e shpejtë të procedurave të dhënies së lejes së ndërtimit, sapo projekti të jetë dorëzuar.Në takim mori pjesë edhe drejtori i Fondacionit Sema, zoti Mustafa Oxhan, i cili është një nga financuesit e këtij ndërtimi. Zoti Haxhi Selim Muça shoqërohej nga arkitekti i xhamisë, nga nënkryetarët e Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu dhe Gazmend Aga, si dhe kancelari Ali Zaimi.