Plagosja e shefit të krimeve të Burrelit, mjekët: Ndodhet në gjendje kritike
Vijon të mbetet kritike gjendja shëndetësore e shefit të krimeve të policisë së Burrelit Musa Skura i cili u plagos rëndë pasditen e djeshme gjatë një operacioni për kapjen e një bande kriminale në Mat.Sipas informacioneve më të fundit edhe pse Skura i është nënshtruar për disa orë një ndërhyrje kirurgjikale në Spitalin Ushtarak në Tiranë mjekët thonë se gjendja e tij shëndetësore mbetet e rëndë.Në një prononcim për mediat, mjeku Bardhi Kurti deklaroi se shefi i krimeve të Burrelit ka dëmtim të 5 organeve dhe pas operacionit ndodhet në reanimacion në terapi intensive."Musa Skura iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale nga ora 21:00 deri në orë 04:00 të mëngjesit. Pacienti kishte të dëmtuara 5 organe, veshka e djathtë që iu hoq, çarje stomaku që iu qep, shpretkën që iu hoq, zorrët e hollët e trasha që iu qepën dhe pankreasin që iu qep. Pacienti ka marrë 9 qese gjak, operacioni zgjati nga ora 9-4 të mëngjesit dhe tashmë është në terapi intensive. Parametrat janë në kufijtë e normës, mbahet në respiracion dhe do të shihet për ta shkëputur nga aparati. Ka rrezik për jetën, është i stabilizuar por jo jashtë rrezikut për jetën” ka thënë mjeku.I pyetur nëse është parë si opsion edhe dërgimi i tij jashtë shtetit për një mjekim më të specializuar, mjeku Kurti theksoi se nuk gjykon një tranportim të pacientit pasi ai ndodhet në gjendje të rëndë në reanimacion. "Operacioni është realizuar me sukses dhe nuk është e nevojshme të transportohet jashtë shtetit" tha mjeku.Në lidhje me gjendjen e kreu të krimeve të Burrelit u prononcua edhe mjeku Tritan Shehu.“Gjendja shëndetësore e Musa Skurës është e rëndë. Ai është ende në gjendje kritike dhe me frymëmarrje të drejtuar ndërsa vijon të marrë sasi të mëdha gjaku. Është diskutuar transportimi i Skurës jashtë shtetit, por lëvizja në këtë gjendje ka dhe të këqia. Musa Skura po i nështrohet trajtimit të kualifikuar reanimator. Me rëndësi që të kapërcejë gjendjen e shokut hemoragjik për Musa Skurën” tha Shehu.NgjarjaNgjarja e rëndë ndodhi pasditen e djeshme në fshatin Suç, ku policia kishte organizuar një operacion për arrestimin e disa personave të kërkuar.Në momentin e nisjes së operacionit, të kërkuarit kanë qëlluar me armë ndaj policisë e cila po ashtu i është përgjigjur me zjarr. Gjatë shkëmbimit të zjarrit është plagosur rëndë shefi i krimeve që drejtonte edhe operacionin, oficeri Musa Skura. Ndërkohë që i plagosur ka mbetur edhe njëri prej autorëve të ngjarjes, kurse anëtarët e tjerë të bandës janë vënë në pranga.Në fillim policia ka arrestuar dy prej autorëve të ngjarjes dhe konkretisht shtetasit Fitim Alla dhe Vilson Milshkurti ndërsa disa orë më vonë gjatë një operacioni ku morën pjesë edhe forcat RENEA u arrestua pak kilometra nga vendi i ngjarjes edhe autori i tretë i plagosjes së shefit të krimeve të Burrelit, 22-vjeçari Rigels Lifja.